E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BERLIN – Scholz: Shumë shpejt një bisedë me Putinin për Ukrainën

BERLIN, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz dëshiron të rifillojë së shpejti një dialog me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar konfliktin në Ukrainë.

“Po, kam vendosur të flas me presidentin rus në kohën e duhur”, tha lideri gjerman në një emision në transmetuesin publik ARD.

”Por, unë jam një politikan i përgjegjshëm, nuk e bëj vetëm. Një bisedë me Putinin kërkon kontakte dhe biseda me një sërë palësh të tjera. Situata duhet të diskutohet edhe me Ukrainën”, tha Scholz.

Kur u pyet se kur do të ishte koha e duhur për një bisedë me Putinin, Scholz u përgjigj “së shpejti”.

Kancelari theksoi se ishte e rëndësishme të sigurohej se “Ukraina mund të mbështetet tek ne dhe të tjerët dhe nuk duhet të ketë frikë se do të mbetet vetëm. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj lufte”.

Scholz shtoi se “natyrisht ne duhet të shohim nëse ka mënyra për të zbuluar nëse kjo luftë do të vazhdojë përgjithmonë ose nëse mund të gjejmë mënyra për t’i dhënë fund”.

Në mes të tetorit, Scholz tha se ishte i gatshëm të bisedonte me Putinin për një paqe në Ukrainë, pasi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për mediat ruse se Putin ishte i hapur për një dialog me udhëheqësin gjerman.

Në qershor, Scholz tha se nuk mund të përjashtonte një bisedë me Putinin në të ardhmen, por tha se do të kishte kuptim vetëm nëse kishte diçka specifike për të diskutuar.

Scholz foli për herë të fundit me Putinin në telefon në dhjetor 2022, kur ai bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina.

Rusia filloi sulmin e saj të gjithanshëm ndaj Ukrainës në shkurt 2022./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›