Kulturat shqiptare kërkojnë çelësin e komunikimit
Në kuadrin e veprimtarisë “Takimet muzikore të dy botëve” që u mbajt në Gjirokastër nga data 4 deri më 6 qershor, është zhvilluar edhe një konferencë me titullin “Kultura në komunikimet ndërshqiptare dhe prezantimi i saj në botë”, moderuar nga filologu kosovar Shkëlzen Maliqi. Nga paneli i kësaj konference, disa nga personalitetet e kulturës nga e gjithë hapësira shqiptare, si studiuesja e letërsisë Baviola Shatro, piktori kosovar Mehmet Beluli, muzikologu nga Kroacia, Bashkim Shehu, politikani dhe publicisti Veton Surroi, aktori Viktor Zhusti regjisorja Ilda Mara, dramaturgu Jeton Neziraj, muzikanti Arben Llozi, muzikanti Ilir Bajri etj., gjatë këtij debati vlerësuan nga këndvështrime të ndryshme çështjet e komunikimeve të ndërsjella ndërshqiptare në sisteme të veçanta të kulturës shqiptare dhe të kontakteve të saj me vetveten dhe në tërësi me botën. “Për shkak se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë edhe një diasporë të madhe dhe shumë të shpërndarë, kultura shqiptare është një ‘entitet’ kompleks, i cili është i varur nga komunikimet dhe lëvizja. Andaj kemi parë të udhës që si pjesë e festivalit ‘Takimet muzikore të dy botëve’, që tradicionalisht mbahet në Gjirokastër, ta kthejmë në një pikënisje të një debati mbi komunikimet kulturore ndërshqiptare dhe prezantimin e kulturës shqiptare në botë. Ky debat do të vazhdojë me disa panele të tjera në Shqipëri e Kosovë dhe do të përfundojë me një konferencë tjetër që do të mbahet në shtator, në kalanë e Prizrenit”, shpjegoi në fillim të kësaj konference, filologu Shkëlzen Maliqi. Organizatorja e festivalit “Takimet muzikore të dy botëve” dhe bashkorganizatorja e kësaj konference, Ilda Mara, tha se ky debat, që nis fillimisht në Gjirokastër, është një kontribut për fillimin e një reflektimi më serioz rreth kësaj problematike në të cilën do të përfshihen rreth 20 intelektualë dhe personalitete të afirmuara të kulturë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësuesit e Ministrive të Kulturës dhe të Punëve të Jashtme dhe një numër gazetarësh. Pjesa më e madhe e diskutantëve në konferencën që u mbajt nën harqet e galerisë së kalasë së Gjirokastrës, theksuan mungesat, kolapsin dhe hendeqet e reja kulturore që shoqëruan komunikimet ndërshqiptare pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri dhe pas “rënies së murit” që ndante kulturën shqiptare me ndërprerjen e represionit të regjimit serb në Kosovë. Njerëzit e fushës së letrave, të artit, të muzikës, të skenës dhe komponentëve të tjerë kulturës, kanë mbështetje financiare të pamjaftueshme nga strukturat shtetërore dhe institucionet kulturore. Sistemi i vjetër i mbështetjes së kontrolluar nga shteti praktikisht është shembur, ose ka ndryshuar rrënjësisht, u theksua në konferencë. Ky sistem nuk është zëvendësuar nga një sistem i ri i qëndrueshëm dhe i bazuar në kritere të stimulimit të krijimtarisë kulturore nga fondet shtetërore, publike si dhe ato private. “Biseda dhe debati për kulturën duhet të jetë sa më serioz, sepse vetëm pse jemi të gjithë shqiptarë, nuk mjafton dhe nuk do të thotë se kemi komunikim kulturor mes nesh. Për shkak se në një anë të kufirit ishte censura komuniste dhe në anën tjetër të tij ishte censura e pushtetit serb, dy kulturat bazike shqiptare kanë humbur dhe kërkojnë çelësin e komunikimit”, tha gjatë fjalës së tij politikani dhe publicisti Veton Surroi. “Referimi në sistemet kulturore të konsoliduara perëndimore do ta lehtësonte dilemën: ‘të mbështeten institucionet apo projektet’ që sipas mendimit tim nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk mund të kuptojmë një sistem kulturor të konsoliduar me institucione kulturore të dobëta, por as nuk mund të kuptojmë treg kulturor kreativ dhe dinamik pa mbështetje të projekteve që i vijnë në ndihmë krijimtarisë intelektuale dhe energjive të reja artistike”, theksoi muzikologu shqiptar nga Kroacia, Bashkim Shehu. Politikat e marketingu kulturor jashtë kufijve shqiptarë janë shumë të dobëta, theksuan folësit në konferencë, ndaj këtyre përvojave negative, përpunimi i këtyre politikave dhe marrja e rolit dhe përgjegjësive nga Ministritë e Kulturës, Ministritë e Jashtme, ambasadat, është më se i nevojshëm për të krijuar hapësira dhe qendra kulturore shqiptare në metropolet më të rëndësishme të BE-së dhe SHBA-së për të nxitur promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në botë. “Veçanërisht paaftësia për të ndërtuar projekte rajonale, duke mos bashkëpunuar me organizata kulturore në vendet europiane dhe vendet fqinje ballkanike, kanë faktorë dhe arsye për të penalizuar suksesin e organizatave kulturore shqiptare, për të nxitur promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në botë”, theksoi studiuesja e letërsisë Baviola Shatro. Ndërsa piktori Mehmet Beluli dhe muzikanti Ilir Bajri, në fjalën e tyre u ndalën në kushtet e një tregu kulturor të pasigurt dhe relativisht të vogël, që shton edhe më tepër vështirësitë financiare dhe që i detyron artistët shqiptarë të emigrojnë apo të ndërrojnë profesion. Kjo sjell edhe tkurrjen e prodhimit kulturor shqiptar, duke ndikuar në dobësimin e identitetit kulturor shqiptar. Për dramaturgun Jeton Neziri, zhvendosjet demografike të popullatës gjatë 20 viteve të fundit, nga periferia në qendër të vendit, veçanërisht në kryeqytete, kanë ndikuar që të krijohet një shoqëri heterogjene dhe kontradiktore. “Ekzistojnë kontradikta midis kulturave qytetare dhe atyre rurale, gjë që sjell moskuptim dhe mungesë dialogu kulturor, por duhet të pranojmë se kemi edhe një hendek kulturor midis shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit, që vjen jo vetëm për shkak të vonesave historike në harmonizimin dhe njohjen e vlerave të kulturës, për shkak të problemeve të komunikimit gjeografik, por edhe për arsye të disa tekave burokratike dhe disa marrëveshjeve kulturore formale mes ministrive për bashkëpunim kulturor”, theksoi Neziri. Një ndër propozimet e konferencës ishte krijimi i një fondi të përbashkët nga qeveritë për ngjarje kulturore me interes mbarëshqiptar, të cilat shtrihen në fushën e arteve skenike, kinematografike, muzikore, pamore, etj., për t’u dhënë përparësi atyre aktiviteteve që nxisin prodhimin dhe promovimin e vlerave më cilësore dhe më promovuese të hapësirës shqipfolëse.
#