E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron, shkurtime për eskortën e tij

Masat Linja e qeverisë konservatore: Limuzinat në garazh, të gjithë në këmbë si njerëzit e zakonshëm

Kryeministri në këmbë. Zëvendëskryeministri në metro. Gratë me trena, ndërsa të gjithë ministrat në mjete publike. Ky është urdhri më i ri i qeverisë britanike. ‘Dua të jetoj si personat e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm”, tha Kryeministri i ri britanik, David Cameron, që prej një jave çuditërisht e bën i vetëm ose i shoqëruar nga ndonjë këshilltar, rrugën nga zyra e tij në Downing Street deri në Parlamentin Westminster. “E bëj edhe për të çlodhur këmbët. Më pëlqen të bëj të paktën një shëtitje në ditë”, thotë ai. “Nuk dua të ndryshoj rrugën time”, e mbështet Nick Clegg, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Liberaldemokrate që merr metronë për të shkuar në punë. Njëlloj si gruaja e tij, Miriam Gonzales, që përdor si trenin dhe metronë për të shkuar në punë. Në një moment vështirësie ekonomike dhe shkurtimesh, mesazhi është se qeveria duhet të japë një shembull. Mbi të gjitha kjo është një mënyrë për t’u diferencuar nga qeveria e kaluar britanike, ku zëvendëskryeministri John Prescott ia jepte jaguarin e tij gruas qoftë edhe për pak metra. Por shumë njerëzve kjo lloj modestie nuk u pëlqen aspak: policia dhe shërbimet e sigurisë kanë frikë se terroristët dhe personat me probleme mendore mund të përfitojnë nga kjo situatë për të vënë në shënjestër Kryeministrin, zëvendëskryeministrin apo eksponentë të tjerë të lartë të qeverisë. Përveç shëtitjes rreth Downing Street, Cameron ka vendosur të heqë dorë nga eskorta tradicionale e motoçiklistëve të policisë që i hapin rrugën kur lëviz me makinë në rrugët e kryeqytetit. “Më duket një luks i panevojshëm. Dua të shoh si jetojnë edhe njerëzit e zakonshëm”, thotë Cameron. Një Kryeministër që shkon në këmbë nga Downing Street në Westminster nuk ishte parë që nga epoka e Churchillit. Të njëjtat shije ka edhe Zonja e Parë e vendit, Samantha, e cila nuk ka dashur ta transferojë akoma familjen (kanë 2 fëmijë dhe presin të tretin) në Downing Street, pikërisht për të mos jetuar e rrethuar nga policët. Edhe çifti tjetër, Clegg, nuk e ka braktisur rezidencën private për atë zyrtare. Clegg dhe Cameron premtuan një mënyrë të re të të bërit politikë. Për momentin janë vetëm shenjat e para.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›