E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, nis epoka e tunelit

Rruga e re Ndryshon ritmi dhe oraret e lëvizjeve. Rigjallërohen tregjet e zonës

Vetëm pak ditë pas hapjes së galerisë jugore të tunelit të Kalimashit ndihet shumë lehtë ndryshimi. Ritmi dhe oraret e lëvizjeve janë krejt ndryshe nga ai i disa ditëve më parë. Në agjencinë e Kukësit tashmë gjen në çdo 10 minuta një furgon që udhëton për Tiranë, ndërsa në çdo dy orë një autobus. Bileta e autobusit është vetëm 50 lekë, ndërsa e furgonëve vetëm 100 lekë më shumë. Njerëzit nuk marrin bukë me vete për ta ngrënë gjatë rrugës ashtu siç ndodhte në rrugën e vjetër, kur udhëtimi zgjaste deri në 8 orë në kohë me mot të mirë, ndërsa edhe më shumë gjatë dimrit. “Tashmë që jemi shumë afër ndihemi më të integruar. Përpara se të hapej tuneli kur udhëtoja për shkollë isha kaq i lodhur, sa nuk isha në gjendje për mësim, shkoja në shkollë thjesht për të mos marrë mungesa”, tregon një student. Një udhëtar tjetër kujton faktin që kur duhet të udhëtojë për në Tiranë, duhet ta planifikonte një javë përpara. “Tani i kemi thënë lamtumirë rrugës së vjetër dhe as që kanë për ta besuar brezat e ardhshëm faktin që ne kemi udhëtuar andej në atë rrugë të vdekjes”, tha një udhëtar ndërsa hipte në furgonin e linjës së Tiranës. Por në sheshin e tunelit në Kalimash ku ndodhen vazhdimisht qindra makina në radhë, jo për ndonjë pengesë, por thjesht duhet pritur daljen e vargut të krahut tjetër, dëgjon gjithnjë e më pak komente për rrugën e vjetër. Ndoshta njerëzit e harrojnë vështirësinë shumë shpejt dhe harresa ndoshta bën mirë nganjëherë, por sepse shumë prej shoferëve dhe pasagjerëve tregojnë se vijnë nga Kosova dhe Maqedonia për herë të parë këtej. Një drejtues kamioni nga Gjilani na thotë se asnjëherë nuk kishte udhëtuar rrugës së vjetër nga Qafa e Malit, as si shofer, e as si pasagjer. “Kam dëgjuar se është rrugë tepër e keqe dhe vazhdimisht kam udhëtuar nga kufiri i Maqedonisë për në Shqipëri, por hapja e Tunelit shkurton shumë distancën dhe udhëtimi jo vetëm që është i shkurtër, por edhe komod”, tha ai duke shtuar se ky udhëtim ishte udhëtimi i dytë brenda dy ditësh.

Siguria

Në sallën operative të tunelit ku punojnë specialistët turq dhe shqiptarë të firmës “Savornik” e gjithë gjatësie tunelit shihet në ekranet e vendosura ku në mënyrë elektronike çdo gjë mbahen në kontroll. Hamdiu, operatori turk i sallës, tregon se në monitorët e vendosur pasqyrohet ecuria në detaje e funksionimit të tunelit. Kontrollohet shpejtësia e mjeteve, funksionimi i çdo llambe të ndriçimit, i kabinës elektrike, i telefonisë etj. Në rastet e një incidenti, p.sh një zjarri, në më pak se 50 sekonda prej sallës operative aktivizohej sistemi i ujit për fikjen e zjarrit. “Me një komandë prej këtu ne riparojmë çdo defekt që mund të ndodhë brenda në tunel”, thotë Hamdiu duke shtuar se siguria në tunel ishte nga më e larta e arritur në veprat e ngjashme në botë. Karvani i mjeteve brenda tunelit shoqërohet nga tre mjete të sigurisë, në krye farë një fuoristradë e posaçme tregon nisjen, në fund një tjetër mbyll karvanin, ndërsa e treta kontrollon shpejtësinë dhe në tërësi disiplinimin e lëvizjeve. Fatmir Cengu, komandant i zjarrfikësve, me fuoristradën e tij qorton me anë të altoparlantit cilindo që tenton të prishë rregullin. Ai tregon se në çdo 450 metra brenda tunelit ndodhen daljet e sigurisë, telefonia, shërbimi zjarrfikës e kështu me radhë. Janë rreth 50 zjarrfikës të trajnuar që punojnë me turne gjatë 24 orëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›