E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja shtrëngon rripin, Zapatero bën thirrje për bashkëpunim

Kriza Priten grevat e para kundër planit të qeverisë për shkurtimin shpenzimeve të buxhetit

Spanja është në gjendje të përballojë detyrimet e saj mbi borxhet, dhe qeveria nuk do ta ndryshojë planin e saj prej 15 miliardë eurosh për shkurtimin e shpenzimeve për shkak të presioneve të sindikatave. Kështu deklaroi dje Kryeministri i vendit, Josè Luis Rodiguez Zapatero. “Askush nuk mund ta vërë në dyshim se Spanja është një vend i fortë dhe një fuqi ekonomike që do të përballojë detyrimet e saj dhe do të paguajë borxhet”, u tha Zapatero anëtarëve të Partisë së tij Socialiste në
Elche, në juglindje të Spanjës. Me krizën e borxheve të Greqisë që po trondit tregjet botërore, Zapatero është nën presionin për të paraqitur planin për shkurtimin e shpenzimeve publike, si dhe për t’u dhënë “Ok” reformave të gjata e të shumëpritura të punës, për të evituar që në Spanjë të ndodhë një humbje besimi e ngjashme me atë të Greqisë. Po dje, kreu i sindikatës më të madhe spanjolle përsëriti se mund të thërrasë një grevë të përgjithshme kundër shkurtimeve që i konsideron të panevojshme dhe të padrejta. Nga ana tjetër, Kryeministri Zapatero theksoi se i respekton sindikatat që kanë lajmëruar një grevë të nëpunësve publikë më 8 qershor, pasi pagat e tyre do të ulen me 5 për qind. “E di që ka protesta në radhët e atyre që plani i qeverisë nuk i bind, ashtu si sindikatat, por ne nuk do të ndryshojmë”, tha Kryeministri spanjoll në takimin me 2000 kryetarë bashkie socialistë. Zapatero deklaroi se shkurtimet e aprovuara të enjten nga qeveria do të reduktojnë shpenzimet sociale me 1.5 për qind, shpenzime që janë rritur me rreth 50 për qind që kur ai u ngjit në pushtet në vitin 2004. “Duhet të bëjmë këtë sforco tani në mënyrë që të jetë i mundur nesër zhvillimi i mëtejshëm i një shteti social i bazuar te mirëqenia sociale dhe mundësitë e barabarta”, tha Zapatero në bisedën e tij të parë të publikuar që kur deklaroi shkurtimin e shpenzimeve për uljen e borxhit, më 12 maj. Kryeministri spanjoll ka përsëritur kërkesën e një marrëveshjeje mbi reformën e punës, aq shumë të pritur, që qeveria shpreson të arrijë këtë javë në një shtet ku 1 në pesë veta në gjendje pune është i papunë. “I bëj apel të gjithë shoqërisë, sidomos sipërmarrësve dhe sindikalistëve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e mirë për punën sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të rinjtë të kenë më shumë shpresa për të gjetur një punë të mirë ndërsa ata që kanë kontrata part-time të kenë më shumë shpresë për një punë të qëndrueshme”, ka deklaruar ai. Të arrish një marrëveshje mbi reformën e tregut të punës është një sfidë e madhe, sepse duhet të ofrosh sigurinë e vendit të punës që duan sindikatat dhe fleksibilitetin e kërkuar nga kompanitë e mëdha. Spanja dhe Portugalia janë dy vendet e BE-së që rrezikojnë të kenë fatin e Greqisë. Për këtë arsye në të dyja vendet janë marra masa për të reduktuar deficitin e lartë buxhetor. Spanja njoftoi të mërkurën masa të reja reduktuese në të cilat bëjnë pjesë edhe ajo e reduktimit me 5% të pagave të punonjësve buxhetorë. Portugalia mori masa të ngjashme në vijim për të reduktuar deficitin buxhetor. Për sa i përket Greqisë, që ishte edhe në situatën më të rëndë, ajo ka njoftuar tashmë dy paketa shkurtimesh. Situata kishte dalë tërësisht jashtë kontrollit për sa i përket deficitit financiar në vendet e sipërpërmendura.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›