E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqir Alizoti, Qytetar Nderi i Vlorës

Titulli Skulptori vlerësohet për kontributin në art dhe për komunitetin çam

Këshilli Bashkiak i Vlorës, me kërkesë të shoqatës kulturore atdhetare “çamëria”, i jep titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” skulptorit Zeqir Alizoti, pas marrjes së titullit mirënjohja e qytetit të Vlorës pak kohë më parë. Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” u krye në sallën e kinoteatrit “Petro Marko”, ku morën pjesë Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës, deputetë, familjarë, miq, artistë të qytetit, si dhe qytetarë të komunitetit çam, të cilit skulptori i përket. Titulli “Qytetar Nderi” i Vlorës iu dha skulptorit me motivacionin “për kontributin që ka dhënë Alizoti në fushën artistike, për komunitetin çam dhe qytetarët shqiptarë ndër vite”. “Me punën dhe veprimtarinë e tij Alizoti është ndër ata artistë që ka ditur t’i japë peshën e duhur qytetit të vet. Kontaktet me veprën e skulptorit kalojnë nëpërmjet përjetimeve vetjake të publikut pa sforcime dhe hermetizma, i çliruar nga gjendjet ekuivoke drejt një përjetimi poetik”, u shpreh kryebashkiaku Gjika. Skulptori Zeqir Alizoti ka lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1950. Në vitin 1966 deri në vitin 1974 kreu në Tiranë studimet e mesme dhe të larta për skulpturë. Me veprat e tij, ai ka marrë pjesë në mjaft aktivitete artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në ekspozita të shumta vetjake të çelura edhe jashtë kufijve të vendit tonë, si në Itali, Greqi, Rumani, Francë etj. Shumë prej veprave të tij monumentale janë sot të vendosura në disa godina dhe salla të godinave publike e muzeore, si dhe në parqe e ambiente publike. Prej vitesh ka hapur në Vlorë një sallon arti. Ky çmim është shoqëruar edhe me një ekspozitë me veprat më të mira të skulptorit, e cila është çelur në hollin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Pikërisht përmes saj Alizoti ka shprehur emocionet që e kanë shoqëruar gjatë marrjes së titullit.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›