Cana: “Dhashë maksimumin, tani jam gati për Kombëtaren”

Albania Sport - "FenOMenal!" Ky ishte titulli i faqes zyrtare të Olimpikut të Marsejës pas fitores madhështore të skuadrës së Canës në transfertë me Lionin (1-2), kampion në fuqi i Francës dhe liderit të kampionatit francez. Për faqen është shprehur edhe kapiteni i Marsejës, shqiptari Lorik Cana: "Situata është e vështirë për të gjithë. Unë jam i kënaqur më shokët e mi të ekipit, për tifozët, për qytetin e Marsejës. Treguam se jemi të denjë për të veshur këto ngjyra, na duhet të konfirmohemi edhe në shtëpi dhe të angazhohemi për të marrë maksimumin e pikëve deri në pushimin e kampionatit. Duhet të clodhemi pak, edhe pse shumica do të marrin pjesë në përfaqësueset e vendeve të tyre. Personalisht jam pak i lodhur pasi nuk kam pushuar për asnjë moment. Unë kam luajtur në të gjitha ndeshjet dhe kam dëshiruar të jap maksimumin përpara se të nisem në Kombëtaren e vendit tim. Tashmë mund të punojmë në qetësi". Cana u ndëshkua në takimin kundër Lionit edhe më një karton të verdhë.