Cana: Jam single! Nuk e kam gjetur ende personin e duhur
Lorik Cana në 360 gradë. I ftuar në emisionin “E diela shqiptare”, ylli i kombëtares shqiptare të futbollit u është përgjigjur shumë pyetjeve dhe ka shuar kërshërinë e tifozëve për shumë argumente. Ai ka treguar se mund të transferohet te Lacio, sikundër nuk e rrëzoi poshtë mundësinë që të qëndrojë edhe për një vit te Gallatasaraji. Loriku gjithashtu ka shprehur haptazi, se mbështet lëvizjen Aleanca Kuqezi, pasi beson shumë në frymën që kjo lëvizje kërkon të përçojë. Por ka edhe pak rozë: Loriku është single dhe ende nuk e ka gjetur personin e duhur për jetën e tij!
Ankohemi gjithmonë me futbollin në Shqipëri. Ne në cilin vend hyjmë, duke pasur parasysh se shumë vende në botë, ndonëse nuk kanë një ekonomi të mirë, si Brazili, ka një futboll të madh dhe kanë bërë histori?
Është një temë për të cilën mund të flasim gjatë. Unë mendoj se shqiptarët janë një popull që kanë cilësi, si në sport apo në art. Kemi një kualitet natyral, që mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Fatkeqësisht për ne, futbolli nuk ka ecur ashtu siç duhet, pasi situata politike në vend nuk e ka lejuar. Ne shqiptarët nga Kosova kemi pasur mundësi të punojmë me shkollën e ish-Jugosllavisë, pasi ka qenë më lart, më cilësore dhe disa emra kanë arritur të luajnë edhe në skuadrat jashtë vendit, gjë që shqiptarët në përgjithësi nuk kanë mundur ta bëjnë pasi nuk kanë pasur mundësi. Ne si vend jemi me të vërtetë duke ecur përpara edhe ekipi ynë kombëtar është duke bërë hapa përpara, mbase me një ritëm shumë të ngadaltë, por jemi duke bërë hapa përpara. Ju përmendët Brazilin ku shumica e lojtarëve që janë bërë yje e kanë filluar futbollin në rrugë, në kushte shumë të vështira, por duhet të kemi parasysh se Brazili ka thuajse 300 milionë banorë. Kështu që ata kanë më shumë shanse se 6-7 milionë shqiptarë. Por kjo nuk do të thotë se nuk kemi talente. Ka shumë lojtarë shqiptarë që luajnë me kombëtare të ndryshme. Kur luajti Zvicra me Anglinë ishin 5 shqiptarë në skuadrën e Zvicrës dhe ky është një fakt që nuk na ndihmon.
Ju keni luajtur me shumë skuadra dhe në shumë vende të Europës. Ku e keni ndjerë veten më mirë?
Marseja!
Pse?
Kur kam qenë i vogël kam qenë tifoz me Milanin e Van Bastenit dhe kur ika në Zvicër u bëra tifoz edhe me Marsejën, që në atë kohë u shpall kampione e Europës. Kur isha në Paris, gjithmonë kam dashur të luaja me Marsejën për shumë arsye. Nga fakti se ka qenë një nga skuadrat që më ka bërë të ëndërroj. Për fanatizmin që kanë njerëzit pas futbollit, pak a shumë si Napoli i Italisë. Njerëzit jetojnë për futbollin, flasin për futbollin. Ka qenë një nder i imi që të luaj e të jem kapiten i Marsejës. Diçka që më ka bërë shumë të lumtur.
Me cilën skuadër do të dëshironit të luanit? Ka ndonjë skuadër që ju bën të thoni: do të doja të luaja me këtë skuadër?
Ka disa skuadra që ka emra të mëdhenj të futbollit botëror, por për mua klubi më i madh është Reali i Madridit dhe nëse do të luaja me këtë skuadër, do të ishte një kulminacion. Por sigurisht se ka miliona lojtarë që duan të luajnë me Realin dhe shumë pak ia arrijnë, por për mua ky është kulminacion.
Ju kur ndërroni skuadrën, shkoni vetëm për interes financiar apo atë profesional?
Varet se çfarë kërkon një lojtar dhe cili është synimi i tij në karrierë. Unë kam ndjekur hapat e babait tim, që ka luajtur futboll për 15 vjet. Ai ka luajtur me Prishtinën në një kohë të vështirë politike dhe për shqiptarët nuk kishte vend më të mirë se futbolli, për të shprehur opinionin e tyre. Babai im gjithmonë më ka mbështetur që të bëhem futbollist dhe në fakt në jetën time nuk kam pasur shumë zgjedhje: do bëhesh futbollist ose futbollist! Unë e kam punuar shumë fort me ndihmën e tij.
Keni mbërritur në një stad ku Lorik Cana është një emër i madh. Tani do të luftoni për ego, apo për anën financiare?
Varet se çfarë kërkon nga futbolli. Kur kam qenë me Parisin, Marsejën apo edhe Sandërlendin, e kam parë si mund ta përfaqësoj një vend dhe e di se çfarë duan të shohin njerëzit nga vendi im. Përpara se të shkoja te Gallatasaraji kam pasur oferta të tjera të mira ekonomike, por vendosa të shkoja në Turqi.
Sa mundësi ka që të shkoni te Lacio?
Unë ndihem mirë që jam te Gallatasaraji. E kisha menduar se do ikja një ditë te Gallatasaraji, mbase jo kaq shpejt, por do të ikja. E kam zgjedhur këtë klub për shumë arsye. E para është formuar nga Ali Sami Jen, biri i Sami Frashërit, ka mbi 25 milionë fansa nëpër botë. Por duke qenë se kemi bërë një kampionat të keq sezonin e shkuar dhe se nuk do të luajmë në Kupat e Europës, jam duke menduar se çfarë do të bëjnë drejtuesit e klubit tim. Kam një mundësi që mund të jetë edhe Lacio për të luajtur në Itali dhe në Europë sezonin e ardhshëm, ndaj ka mundësi që të shkoj aty.
Kur ju lëvizni nga një ekip në tjetrin, sa % ka në dorë klubi e sa lojtari?
Kur një lojtar e ka ndarë mendjen që do të lëvizë, nuk e ke të lehtë ta mbash. Pasi mund ta mbash kundër dëshirës, por ai nuk do të luajë me gjithë zemër. Mirë është për klubin që të gjejë zgjidhjen. Unë nuk e kam ndarë mendjen 100%, por kam dëshirë që drejtuesit kanë dëshirë të më mbajnë dhe ambiciet për sezonin e ardhshëm.
Do Gallatasaraji do t’ju mbajë?
Besoj se po, ata presin edhe përgjigjen time, por nuk është vendosur asgjë. Do shohim se cila është zgjidhja më e mirë.
Në dëshirën tuaj është Lacio apo Gallatasaraji?
Ah, kjo është një situatë është e vështirë. Te Gallatasaraji jam shumë mirë, por Serie A më tërheq shumë.
Cila është ajo skuadër që nuk do ta kesh kundërshtare?
Nuk ka. Edhe nëse fizikisht një skuadër është e ashpër, aq më shumë më pëlqen sepse hyjmë në fushën time. Do të bëjmë një miqësore me Barcelonën dhe njerëzit po thonë se do na duhet të vrapojmë shumë, por për mua sa më i fortë është kundërshtari, aq më bukur do ishte. Por një futbollist duhet të jetë gati për shumë situata, mund të shajë ose…
Shan ti Lorik?
Jo, arbitrin disa herë. Por gjuha shqipe më ka ndihmuar që të shajë shqip dhe gjyqtarët të mos kuptojnë gjë.
Lorik ju keni lindur në Prishtinë. Kosova nuk është ende e federuar që të luajë në eliminatore. Ju ku do të luanit?
Më kanë pyetur shpesh dhe unë po njësoj u jam përgjigjur. Kombëtarja shqiptare është kombëtarja e shqiptarëve në të gjitha trojet dhe nuk ka asnjë arsye pse të jetë ndryshe. Fanella kuqezi është fanella e shqiptarëve dhe nuk ka përse të jetë ndryshe.
Po nëse luhet një ndeshje Kosovë-Shqipëri për eliminatore?
Unë shpresoj që nuk do të ndodhë. Shpresoj që të gjehet zgjidhja që të luhet bashkë. Jam duke mbështetur një iniciativë, në fakt asnjëherë në jetën time nuk jam përlyer me partitë politike sepse mundohem që t’i jap vlerat e mia me sportin sepse është ambasador i jashtëzakonshëm i një vendi. Po mbështes një lëvizje që quhet Aleanca Kuqezi, që sa është në formën e saj aktuale për bashkimin e trojeve shqiptare për bashkimin në fusha të ndryshme, dhe përsa kohë nuk është një parti politike, deri tani nuk e ka këtë qëllim, do të doja që të ishte edhe fusha e sportit, ku të kishim një kampionat të përbashkët, një kombëtare të përbashkët. Ka lojtarë kosovarë që luajnë në Zvicër apo në Gjermani, që mund të luajnë edhe me Shqipërinë, por besoj se unë do ta kem lënë futbollin kur të vijë ajo ditë.
Në fund të ndeshjes me Bjellorusinë keni bërë një thirrje apo jo?
E kam bërë një thirrje, pasi në fakt është e vërtetë që unë e kam ndjerë veten krenar që vij nga ky vend dhe ndihem i privilegjuar që mund ta ndihmojë vendin tim me sportin. Gjithmonë përpiqem që të kaloj disa ide, që të ndihmoj njerëz që të dinë se çfarë të bëjnë për këtë vend. Shumë njerëz nuk kanë punë dhe nuk kanë me se të ushqehen përditë dhe e di se është e vështirë t’u thuash disave se çfarë të bëjnë për vendin, pasi të përgjigjen se çfarë ka bërë vendi për mua. Por të ndërrosh kombësinë për arsye ekonomike thjesht se ajo të sjell pak të ardhura dhe ta humbësh nderin dhe krenarinë për këtë vend, është një mënyrë për të tradhtuar edhe paraardhësit tanë.
Sa tatuazhe ke në trup?
3-4
Të gjitha janë me simbolikën kombëtare?
Të gjitha. Në krahun e majtë është shqiponja dykrenare, simbol i vendit tonë. Më kanë quajtur gjithnjë “Luftëtari” dhe në krahun tjetër kam një helmetë, një përkrenare të luftëtarëve ilirë. Ndërsa në shpinë, kam vetëm pak muaj që e kam bërë dhe pak njerëz e kanë parë. Eshtë një tatuazh që kam përmbledhur disa vargje nga himni dhe nga shkrimtarët tanë. Është një poemë që mund ta recitoj: Shqipëri të qofsha falë/ të kam nënë e më ke djalë/ Besën e kam dhënë të mbrojmë atdheun në çdo kënd/ se Zoti vetë e tha me gojë se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqiptaria do të rrojë për të, për të luftojmë ne/. Edhe në krah kam të shkruar “Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” ndërsa shifrat është një datë historike, një ideal 2 mars 1444, dita e “Besëlidhjes së Lezhës”.
A je supersticioz?
Shumë pak. Syrin e kam tatuazh. Jam besimtar i fesë myslimane, por nuk jam praktikant. Kur dal jashtë vendit, ka diçka që më bën krenar. Ne vërtet kemi anët tona të këqija, por kemi edhe anët tona të bukura. Por mund të jemi një ndër vendet e pakta në botë, ku feja nuk na përçan dhe kjo është diçka e mrekullueshme që e ka populli shqiptar.
A ka ndonjë arbitër që kur merr vesh se do të gjykojë ndeshjen thua: ka na ra ky.
Një ndoshta jo…Unë nuk pasur me një arbitër probleme. Unë kam mënyrën e tillë të lojës, që luftoj fort ndaj kundërshtarit dhe disa herë jam shumë i ashpër. Nuk dua ta dëmtoj kundërshtarin, pasi ai me këtë profesion e fiton bukën dhe mund t’i hapja probleme dhe disa gjyqtarë nuk e pranojnë e të ndëshkojnë.
Po Majk Rili?
Ai i Holandës? Eh! Ky është gjyqtari i ndeshjes Shqipëri-Holandë në “Qemal Stafa” dhe më ndëshkoi me karton të kuq në minutat e fundit e më bëri shumë dëm, sepse pikërisht ai lojtar që unë u kapa shënoi golin. Nuk është një preson që më pëlqen shumë.
Lojtarëve të famshëm, firmat e ndryshme u kërkojnë të bëjnë publicitet. Juve?
Kam bërë publicitet kur e kam pasur dëshirë që ta përfaqësoj atë markë. Kam përfaqësuar një dizajner holandez, që quhet Dirk Bikembers dhe për disa vjet kam bërë reklamën e tij për Francën.
Marrëdhëniet me vajzat. Të ngacmojnë ato?
Pak.
Si pak, shumë modest je. Sa refuzon në ditë?
(Qesh) Gjatë kohës time të përditshme nuk kam shumë kontakt me vajzat sepse jam në një botë ku ka meshkuj dhe vetëm meshkuj. Por në mbrëmje, kur dal natën, kur jam me pushime, frekuentoj goca. Dhe shyqyr që më pëlqejnë gocat se mund të ishte ndryshe.
Ka ndonjë që të ka pushtuar fort?
Për momentin nuk jam i dashuruar e nuk kam një marrëdhënie konstante. Por do të martohem më vonë.
Kur ke ndërmend të martohesh?
Ende nuk e kam gjetur personin e duhur, se nëse do ta kisha gjetur, do të isha martuar edhe 22 apo 23 vjeç, kështu që nuk po nxitohem.
Je edhe student në vitin e parë në histori. Përse zgjidhe historinë?
E kam pasur pasion. Kam qenë kurioz për historinë e vendit tonë dhe kemi një histori të pasur, ku duhet të punojmë shumë në këtë fushë. Pasi në një ditë, kur e gjithë Europa po bashkohet, edhe ne aty e kemi vendin, ne kemi një identitet që mund të jetë më i lashti në këtë kontinent, ndaj nuk kemi arsye përse të mos e shpallim.