Cana: Një ditë do të kualifikohemi

Lorik Cana është optimist se një ditë, Kombëtarja shqiptare do të kualifikohet në Kampionat Botëror ose Evropian. Momentalisht, Kuqezinjtë janë në fazën e kualifikimeve për Euro 2012, ku të shtunën (mbrëmë) luajtën me Bjellorusinë.
Sidoqoftë, mesfushori kosovar beson se, në një të ardhme jo shumë të largët, edhe shqiptarët do t’i gëzohen kualifikimit në njërin nga kompeticionet më të rëndësishme të futbollit.
“Një ditë do të jemi atje”, thotë Cana në një intervistë për të përditshmen prestigjioze franceze, L‘Equipe.
- “Unë do të luaj për Shqipërinë edhe 6-7 vjet, kështu që kam mundësi për ta shijuar Botërorin ose Evropianin. Por, nëse jo unë, pak më vonë futbollistët e tjerë shqiptarë do ta shijojnë kualifikimin”, vazhdoi Cana.
Për ta arritur këtë, ai mendon se Shqipëria ka nevojë për lojtarët kualitativë shqiptarë, të cilët duhet t’i afrojë në gjirin e saj, para se ata ta zgjedhin një kombëtare tjetër.
“Behrami ose Shaqiri kanë mundur të luajnë për Shqipërinë, por e kanë zgjedhur Zvicrën. Kemi nevojë për lojtarë të tillë, që janë rritur jashtë, për të na u bashkuar neve. Unë e kam zgjedhur Shqipërinë, sepse është vendi im”, vijoi ai.
27-vjeçari uron që Shqipëria ta mbyllë fazën e kualifikimeve për Euro 2012 në pozitën e katërt, e cila do t’i dhuronte një përparësi në shortin e ardhshëm.
“Nëse arrijmë në kuotën e 12 pikëve, mendoj se kemi mundësi të mira për të qenë në vazon e katërt. Do të ishte e mrekullueshme, sepse sa më lart që je në vazo, aq më shumë ke mundësi të kualifikohesh në një turne të rëndësishëm. Kjo është ëndërr imja”, tha futbollisti i Galatasarayt.
Pra, Cana e ëndërron një kualifikim historik të Shqipërisë, e cila kurrë nuk e ka shijuar fazën finale të ndonjë Botërori apo Evropiani.