Messi: E dua Kampionatin botëror

Ylli argjentinas, Lionel Messi dëshiron të fitojë Kampionatin botëror së paku një herë në karrierën e tij.
Sulmuesi ëndërron të fitojë titullin kryesor ndërkombëtar me Argjentinën, duke përcjellë hapat e legjendës Diego Maradona, i cili kishte triumfuar me La Albiceleste në Meksika 1986.
Sulmuesi i Barcelonës ka fituar çdo titull të mundshëm të klubeve me gjigantin katalan dhe aktualisht mban Topin e Artë si futbollisti më i mirë në botë nga viti i kaluar.
Në prononcimin e tij për medie para ndeshjes miqësore ndërkombëtare mes Argjentinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në New Meadowlands Stadium in New Jersey, të shtunën, Messi tha se beson se një ditë do të realizojë ëndrrën e tij.
Ai dëshiron të shtojë koleksionin e tij të titujve duke fituar Kampionatin botëror 2014 në Brazil dhe ka insistuar se do të japë gjithçka për të arritur këtë synim.
“E di se do të fitoj Kampionatin botëror, sepse është trofeu të cilin e dua me të vërtetë. Dëshira ime është të fitoj Kampionatin botëror. Falë Zotit, kam pasur fat të fitoj tituj për klubin tim. I vetmi trofe që më mungon është ky”, tha Messi.
Ai mohoi krahasimet me Diego Maradonën dhe tha se ai ishte futbollist i ndryshëm prej tij. Ai e vlerëson Maradonën në një rang tjetër, por pranoi se dëshiron të shkruajë emrin e tij në librat e historisë.
Ylli i skuadrës katalone shpreson të ketë fatin e njëjtë si ish-selektori i Argjentinës, duke iu referuar triumfit në Kampionatin botëror 1986.
“Diego është i veçantë dhe nuk ka nevojë ta krahasojmë. Por, unë dua të vë emrin tim në histori të futbollit. Nëse kam fatin të bëj atë që bëri Diego, atëherë do të jetë mirë”, përfundoi Messi.
Sulmuesi i Barcelonës është duke kaluar një sezon sensacional këtë edicion dhe ka realizuar 45 gola në vetëm 42 paraqitje. Edhe më i jashtëzakonshëm është fakti se Messi ka po ashtu 21 asistime me emrin e tij.
Ai mund t’i ndihmojë skuadrës së tij të fitojë tre tituj këtë sezon, pasi Barcelona kryeson në La Liga, ka arritur në finale të Copa del Rey si dhe është kualifikuar për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.