E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana drejt Premiershipit, Evertoni ofron 12 mln euro

Nuk ka ditë që emri i Lorik Canës të mos përmendet në merkato. Zhvillimet më të fundit e shohin si të sigurt transferimin e mesfushorit të Kombëtares drejt kampionatit anglez, më saktësisht tek Evertoni. Për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, drejtuesit e klubit nga qyteti i Liverpulit, janë shprehur të gatshëm të paguajnë 12 milionë euro (10 milionë sterlina) në arkat e Olimpik Marsejës. Sipas mediave franceze, Cana e ka refuzuar përfundimisht ofertën e Hamburgut dhe do të firmosë kontratë me klubin që mban rekordin në Angli për numrin më të madh të sezoneve të luajtura në Premiership, plot 107. Mendohet se në vendimin e Canës kanë ndikuar kushtet më të mira financiare të ofruara nga trajneri Devid Mojes. Ndërkohë, mesfushori shqiptar vazhdon të mos marrë pjesë në miqësoret që marsejezët e drejtuar nga Didië Deshamp po zhvillojnë në këtë periudhë përgatitore. Cana u trembet dëmtimeve të mundshme, të cilat do të shkatërronin ëndrrën e tij për t‘u transferuar në një kampionat elitar. Të interesuara për "shkatërruesin" kuqezi kanë qenë edhe mjaft skuadra të tjera. Deri më tani janë përfolur pista angleze, gjermane, turke, ukrainase dhe italiane, por oferta financiare e Evertonit duket se e ka bindur mesfushorin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›