E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indi, ku nënat merren me qira

Bëje realitet ëndrrën tënde, falë ndonjë nëne nga India. Lajmërimi i publikuar në sajtin iwanttogetpregenant.com (dua të ngelem shtatzënë) të ngjall më shumë emocion se një njoftim i thjeshtë tregtar. Ky fenomen gjithmonë e më i përhapur mes nënave indiane që japin trupin me qira prek edhe aspektin delikat etik të vlerës së një jete në bazë të origjinës dhe kushteve sociale: një femër e bardhë amerikane, e cila ofron trupin e saj për të çuar përpara shtatzëninë e një gruaje tjetër, fiton të paktën pesë herë më shumë se një kolege e saj në Mumbai. Me 3 mijë dollarët e marrë për sakrificën e saj, një grua indiane mund të blejë një shtëpi të vogël në periferi. Me 15 ose 20 mijë dollarë në Amerikë nuk mund të blesh as një makinë të re. Historitë e nënave me qira dalin në faqet e gazetave që kur "Rotunda", një nga klinikat më të famshme të fertilitetit në Mumbai, nisi të aplikojë ligjin e miratuar në vitin 2006, që u lejon edhe të huajve praktikën e "qirasë". "Rotunda" u ka bërë reklamë në të gjithë botën metodave të saj në fertilizimit "in vitro", "të sigurta dhe të besueshme". Struktura që siguron gjithë procesin mjekësor dhe ligjor, përveç lindjes, gjendet në një vilë të vogël në parkun Shivaji. Në shtatë a tetë dhoma të mbushura me pajisje mjekësore, gjen vezë dhe spermë, mjekë që kujdesen për qelizat e fekonduara, apo kandidatë për prindër dhe nëna të marra me qira. Sot, vetëm në Mumbai, janë më shumë se 50 struktura sanitare që praktikojnë ngjizjen "in vitro", impiante vezësh të fekonduara në mitrën e një nëne tjetër dhe kampionë sperme apo vezësh me porosi të kandidatëve për t‘u bërë prindër. Meqenëse nuk ekziston ende një ligj mbi rregullimin e normave të reja, mungojnë edhe shifra zyrtare mbi numrin fëmijëve të ngjizur me këtë mënyrë. Megjithatë dihet se mesatarja mujore e shtatzënive varion nga 10 deri në 15 për klinikat mesatare. Në kryeqytetin tregtar të Indisë lindin nga 5 deri në 10 mijë fëmijë në vit, pa numëruar qytetet e tjera ku janë me mijëra klinikat e këtij lloji. Bëhet fjalë për një ngjarje që përfshin deri në 3 prindër, siç ndodh në pjesën më të madhe të rasteve kur merret sperma e një donatori, vendoset në bërthamën e vezës së një dhurueseje dhe për ta vendosur më pas qelizën në mitrën e nënës që do të çojë deri në fund shtatzëninë. Kërkesat janë gjithmonë e më shumë në rritje dhe vijnë nga e gjithë bota, përfshi këtu edhe një numër të madh çiftesh gay. Në sallën e vogël të pritjes në "Rotunda", çiftet e pasura indiane dhe nënat me qira, të shoqëruara nga bashkëshortët, njihen lehtësisht nga veshja dhe pamja. Edhe pse shpesh nënat e reja "part time" veshim kostumet më të mira që kanë, dallohen lehtësisht nga mënyra se si lëvizin sytë, si flasin dhe si bisedojnë me mjekët. Por, të gjithë janë të nervozuar deri kur i gjithë procesi të përfundojë me sukses. Prindërit perëndimorë dhe indianë që banojnë jashtë vendit preferojnë zakonisht që këto procese t‘i kryejnë edhe në klinika më të lira, si për shembull në "Deccan", ku mund të njohësh personalisht edhe nënat e marra me qira. "Padashur bëhemi pjesë e shumë takimeve që na prekin pa masë", tregon drejtoresha e "Rotunda"-s, Gautam Allahbadia, dhe asistentja e saj, Kaushal Kadam. "Vajzat i kemi seleksionuar, pasi kemi parë gjendjen e tyre shëndetësore dhe gjendjen mendore. Shpesh kushtet higjienike nuk janë optimale dhe nëse i tremben gjykimit të njerëzve për të çuar deri në fund shtatzëninë, duhet të lënë vendin ku jetojnë dhe të merren në një ndërtesë që administrohet nga ne". Eddy Irani, një nga ndërmjetësit që shkon të kërkojë vajza në të gjithë Mumbain, na prezanton disa prej tyre, të ulura përpara televizorit në një nga klinikat gjinekologjike të lagjes së Bandras-it. Në të njëjtin kat ndodhet edhe një agjenci rekrutimi "Niche", që është krijuar për të lehtësuar tratativat mes familjeve kërkuese dhe nënave "part time". Shabana është 23 vjeçe dhe ka tre fëmijë, por edhe pse i shoqi nuk pranon t‘i dërgojë në shkollë, ajo përpiqet t‘i shpëtojë nga jeta e rrugës dhe barakave. Thotë se e kishte provuar edhe një herë për të qenë nënë "part time", por nuk kishte mundur të ngelte shtatzënë. Kësaj here nuk dëshiron të rrezikojë dhe preferon t‘i nënshtrohet të gjitha kontrolleve të mjekëve. Gjatë shtatzënisë duhet të marrin shumë vitamina dhe ushqime proteinike, për të lindur një fëmijë të shëndetshëm që në lindje të peshojë nga tre deri në pesë kilogramë. Pas lindjes, pa e parë në sy fëmijën, por me paratë në xhep, do të kthehet në shtëpi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. "Nuk besoj se ekziston problemi i paragjykimeve. Është më e rëndësishme dëshira që po sakrifikon për fëmijët e saj natyralë", shpjegon Eddy që ka njohur me qindra gra të tilla. Megjithatë, vajzat mundohen të ruhen gjithmonë nga njerëzit e afërm. "Nëse të afërmit e mi e marrin vesh se kam pasur në bark një fëmijë që nuk është i burrit tim, do më pështynin në fytyrë‘, shpjegon Shabana. Sangita Vishali është hindu, e megjithatë e di se në lagjen ku jeton do ta trajtonin si prostitutë. Vogëlushet Roshni dhe Monica kapen pas fundit të saj, ndërsa ajo i shpjegon ndërmjetësit se nëse do të arrijë të japë me qira mitrën e saj, do të ketë një justifikim për t‘u larguar nga shtëpia për gjashtë muaj. Ndërkohë fëmijët do të rrinë me gjyshen dhe me paratë që do të marrë e ëma do të kenë ushqim dhe libra shkollorë gjatë gjithë vitit. Sangita duket më e moshuara në krahasim me vajzat e tjera që gjenden në klinikë, që nuk janë më shumë se 20 vjeçe. Eddy shpjegon se për një nënë me qira, aspekti fizik nuk ka rëndësi, mjafton që të jetë një grua e shëndetshme dhe me kockat e legenit të forta. Në vendin ku zakonisht vijnë vajzat që kërkojnë të "punësohen" dëgjon histori nga më të çuditshmet. Të gjitha vijnë nga familje me histori të dhimbshme. Shpesh janë të braktisura nga bashkëshorti dhe të gjitha kanë nevojë të madhe për para. Babita, 23 vjeçe, është e shqetësuar sepse dy herë rresht ngjizja nuk arriti të kryhej. Thotë se ëndrra e saj nuk realizua, ndaj dëshiron ta provojë sërish. Për të nuk kanë rëndësi mendimet e njerëzve. "Le ta marrin vesh, nuk më intereson. Një fëmijë i tillë më lejon të ndihmoj familjen time. Mund të sjell në jetë dy, tre, myslimanë, hindu, të krishterë. Mjafton që të jenë të shëndetshëm. Një sjellje ndryshe nga ajo e Shakirës, një vajzë që e kishte vënë si kusht se mund t‘ia jepte me qira mitrën e saj vetëm çifteve islame. "Në fillim, na u desh të vinim lajmërime nëpër gazeta, për të gjetur gra që pranonin ta bënin diçka të tillë, ndërsa tani kemi oferta nga gratë e reja indiane dhe nga të gjitha anët e botës. Këtu nuk përjashtohen edhe homoseksualët", shpjegon Vashodhara Mhatre, mjek për ngjizjen "in vitro" në Mumbai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›