E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, nën akuzë lideri i serbëve

Një nga liderët e serbëve nga veriu i Kosovës, Millan Ivanoviç, ka njoftuar se prokurorja e EULEX-it në Mitrovicë i ka kërkuar atij të paraqitet në polici për t‘u marrë në pyetje. Në njoftimin e shpërndarë gazetarëve thuhet se ai është i dyshuar për pjesëmarrje në disa veprime kriminale, organizim dhe mbështetje të grupeve terroriste, nxitje të urrejtjes nacionale, raciale e fetare, rrezikim të personelit të EULEX-it dhe pjesëmarrje në masën që kishte bërë vepra penale.

Ivanoviç ka hedhur poshtë akuzat dhe ka paralajmëruar se nuk do t‘i përgjigjet kësaj ftese. Ai ka pohuar se "nuk i njeh institucionet e Kosovës" dhe i ka porositur përfaqësuesit e EULEX-it që duhet të jenë neutralë ndaj statusit. "Ato të gjitha janë të pavërteta, me qëllim eliminimin tim nga ky rrafsh", ka thënë ai, duke shtuar se nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe se do të kërkojë mbrojtje nga shteti i Serbisë. Në letër vihet në pah se prokurori do të shqyrtojë urdhëresën për arrestimin e tij, nëse Ivanoviç refuzon të dëgjohet në polici. "Nuk ndihem i sigurt dhe për këtë do të njoftoj partitë relevante politike në Serbi, ndërsa pres mbrojtje edhe nga ambasadorët e vendeve mike në shtetin tonë", përfundoi Ivanoviç.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›