E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Vendimi për të hyrë në Parlament, në momentin e duhur

Anëtari i Kryesisë së PS-së, Arben Malaj, në një intervistë për "Shqip" jep vlerësimet e tij rreth procesit zgjedhor të së shtunës së kaluar, ku rezultoi fitues Edi Rama me 93.3%.

Zoti Malaj, komisioni zgjedhor brenda PS-së sapo deklaroi përfundimin e procesit dhe shpalli fitoren e Edi Ramës me 93.3%. Si e vlerësoni këtë rezultat?

Përderisa nuk ishim pjesë e konkurrimit, nuk kemi bërë një ndjekje nga afër të procesit, megjithëse kemi theksuar publikisht që cilësia e këtij procesi ka ndikime mbi kredibilitetin e zhvillimeve në PS dhe sidomos në kredibilitetin e saj për debatin e standardeve të zgjedhjeve politike në vend.

A keni menduar cila do të jetë e ardhmja e lëvizjes së Mendimit Ndryshe në PS, identifikuar me pesë deputetët kundërshtarë të zotit Rama?

Nuk është një grup anti-Rama, por një angazhim publik PRO-PS, që më konkretisht do të thotë se thjesht fitorja e Ramës dhe aq më pak fitorja "e thellë", nuk janë zgjidhja e problemeve konkrete që ka PS-ja pas humbjes së përsëritur të saj. Qëndrimet tona unike dhe publike për pasojat negative të bojkotit të Parlamentit, të keqpërdorimit të solidaritetit socialist për fitore 100%, për deformimin dhe keqpërdorimin e shumicave numerike, për reduktimin e demokracisë së brendshme sidomos të forumeve të saj, mbeten konstante dhe janë kontributi më i mirë, më i drejtpërdrejtë dhe më konkret që ne i bëjmë sot PS-së për ta larguar nga humbjet e përsëritura, për ta bërë më moderne, më demokratike dhe më bindëse për të qenë fituese. Çdo etiketim ndryshe, çdo përpjekje e sforcuar për ta negativizuar këtë oponencë, çdo shumicë e re fituese që do të mundohet të mbysë këtë oponencë, vetëm e zgjat gjendjen kritike në të cilën ndodhet PS.

Thuhet se grupi i deputetëve oponentë të zotit Rama mund të shfrytëzojë një vizitë të Olli Rehn në Shqipëri dhe të rikthehet në Kuvend. Sa qëndron kjo?

Për shkak të përvojës politike, për shkak të detyrimeve partiake, për shkak të përgjegjësisë edhe publike, nuk besoj që veprimi jonë politik për pjesëmarrjen në Parlament të influencohet thjesht nga vizita e çdo personaliteti të Brukselit në Parlamentin e vendit tonë, rast që edhe ky meriton respektin dhe mirënjohjen e PS-së, duke marrë pjesë në seancën përkatëse. Debati ynë publik është që PS nuk duhet të mungojë në momentet historike të integrimit europian të vendit, nuk duhet të mungojë kur shqiptarët të përfitojnë lëvizjen e lirë, kur vendit t‘i çelen negociatat për t‘u bërë vend anëtar i BE-së dhe momente të tjera. Debati ynë është ftesa jonë për kolegët e PS-së që sa më parë të ndërpresim bojkotin, që sa më parë t‘u kthehemi institucioneve, që sa më parë dhe sa më mirë të përmbushim misionin tonë politik si forca më e madhe opozitare e vendit tonë. Ne do të dëshironim të ishim së bashku me kolegët e tjerë të PS-së, ky moment nuk duhet të jetë një moment krize brenda grupit parlamentar, por një moment reflektimi dhe marrje përgjegjësie si parti opozitare. Vendimi ynë për të mos munguar në Parlamentin e vendit tonë në momentet kritike të integrimit të vendit tonë, do të jetë në kohën e duhur, do të jetë publik dhe do të jetë një shërbim ndaj PS-së dhe jo një investim i keq partiak apo publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›