E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama vizitë tek Agolli: Nano foli sikur erdhi nga qenefet e Vjenës

Sapo mori mandatin e ri si kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, preferoi të kryejë një vizitë në shtëpinë e patriarkut të socialistëve, Dritëro Agolli. Në këtë vizitë, Rama ka qenë i shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Tiranës, Vasilika Hysi, dhe Eduard Shalsi. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga zyra e shtypit të selisë rozë, Rama dhe Agolli kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike. Konkretisht është biseduar rreth deklaratave të bëra nga ish-kryetari dhe ish-kryeministri i Partisë Socialiste, Edi Rama, si dhe bojkoti i grupit parlamentar të PS-së ndaj Parlamentit. Ish-deputeti i PS-së, Dritëro Agolli, duke u fokusuar tek akuzat e ish-kryetarit Nano, është shprehur se "Nano vërtet jeton në Vjenë, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës në Europë, por ai sikur nuk vinte nga Vjena, por nga qenefët e Vjenës. Një keqardhje e madhe ku mund të përfundojë njeriu, por edhe fjalët, jo vetëm të këqija, por edhe thashetheme, d.m.th një diskutim në televizor me thashetheme, filani ka thënë kur dëgjoi që erdha unë, filani ka thënë kështu". Agolli, duke iu referuar faktit që Rama, nuk i ktheu përgjigje Nanos, pas deklaratave të tij në një intervistë, u shpreh se "populli e thotë shumë mirë atë shprehjen, që po u përzjeve me krundet të hanë pulat. Më mirë me krundet nuk duhet të përziesh". Ndërsa për qeverinë e krijuar nga koalicioni LSI-PD, Agolli ka deklaruar se ajo "është një qeveri me këmbë shumë të shkurtra, është qeveri xhuxhe, sepse vendime të mëdha ajo nuk merr, vendimet e mëdha merren nga 84 deputetë". Ndërsa kryetari i ri i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij, e ka vënë theksin te zhvillimet e fundit politike dhe konkretisht te vendimi që e majta ka marrë për bojkotin e Kuvendit. Duke lënë të kuptohet se ky bojkot nuk është një qëndrim i paargumentuar, ai i ka bërë të ditur Agollit shkakun e bojkotit. "Kushti thelbësor, është një, është që të bëjmë komisionin hetimor, me shumicë të opozitës. Jemi gati të hyjmë në Kuvend që nesër në qoftë se ata bien dakord që ne të hetojmë dhe të bëjmë transparencë për procesin zgjedhor dhe brenda hetimit është hapja e kutive për të parë realisht se çfarë kanë brenda kutitë, qoftë vota, qoftë lista", u shpreh Rama. Ai theksoi se duhet të hapen kutitë dhe gjithë populli e shikon çfarë kanë kutitë brenda, sepse këtë e ka ligji. Sipas tij "hapja e kutive i jep fund një historie 20-vjeçare, bëj procesverbale false, fut vota në kuti, bëji listat sipas qejfit, hap tjetër listë në kuti, tjetër listë e shpallur, votojnë pesë herë, voto si emigrant dhe në fund fare e pëson një popull i tërë, se nuk merr dot vendim, ky është thelbi i çështjes".

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›