Cana përkrah Zidan, Raul e Kantona
Lorik Cana vazhdon të jetë shumë aktiv në projektet për bamirësi. Mesfushori shqiptar do të jetë pjesë e iniciativës së Fabio Selestinit, ish-kapiten i Olimpik Marsejës që do të organizojë një ndeshje për të ndihmuar fëmijët e varfër në botë. Më 21 prill, fondacioni "4-4-2" do të organizojë një ndeshje, ku shumë emra prestigjiozë të futbollit botëror do të luajnë kundër yjeve të Olimpik Marsejës, të drejtuar nga Lorik Cana. Deri më tani, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar Zidan, Raul, Françeskoli, vëllezërit Kantona, Laudrup, Lizarazu e Papen, që do të drejtohen nga tekniku aktual i Realit të Madridit, Bernd Shuster. Ndërkohë, me ngjyrat e skuadrës marsejeze do të luajnë sërish Ravaneli, Amoros e shumë të tjerë. Me fondet e mbledhura do të ndërtohet një fushë me bar sintetik për klubin e Renës, e do të sigurohen pajisje sportive, të cilat do të shpërndahen në Kubë dhe në Brazil.