E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Franku V", në fundjavë në teatër

Tragjikomedia muzikore "Franku V" e Fridrih Durrenmat, një vepër nga më madhështoret në teatrin botëror, do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fundjavë nga regjisori Arben Kumbaro, duke shënuar kështu edhe premierën e parë të këtij institucioni për vitin 2008. Për gati dy muaj është punuar për realizimin e "Franku V", një vepër e shkruar në vitet ‘60, por që përmban një forcë të madhe politike, poetike dhe estetike në komunikimin e saj me realitetin e shoqërisë shqiptare. Mbi të gjitha, "Franku V" është një vepër poetike, që i flet realitetit të çdo kohe dhe çdo vendi, ndërkohë që nga kritika është cilësuar si versioni modern i "Rikardit III" dhe përpjekje alternative e veprës së Brehtit "Opera për tre grosh". Këtë vepër regjisori Kumbaro e ka vënë për herë të parë në skenën e Teatrit "Migjeni" më 1991-shin, në prag të përmbysjes së komunizmit, duke pasur një impakt të jashtëzakonshëm me publikun dhe situatën e asaj kohe. Kjo është edhe një nga arsyet pse regjisori i rikthehet realizimit të "Frankut V" për skenën e Teatrit Kombëtar dhe me përmasa të reja. Premiera e veprës "Franku V" është ndër sfidat më të rëndësishme, më të vështira dhe më të mëdha për nga komponentët e realizimit. Ndaj, për vënien me cilësi të kësaj vepre, TK ka angazhuar potencialet e tij më të mira artistike, ndërsa ajo vjen për publikun prej një nga regjisorëve më të mirënjohur të skenës së teatrit, Arben Kumbaro. Platforma regjisoriale parashikon një vënie në skenë nga më origjinalet dhe madhështoret e kësaj tragjikomedie muzikore. Përpos aktrimit, regjisori i ka kushtuar shumë vëmendje edhe këngës dhe lëvizjeve koreografike të aktorëve. Skenografia e Genc Shkodranit synon të sjellë një dekor monumental, ndërsa kostumet origjinale të shfaqjes do të realizohen nga stilistja Anila Zajmi. Një nga risitë e kësaj vënieje në skenë është edhe kompozimi muzikor i të gjithë veprës nga Endri Sina, me orkestrën "live" në skenë që do të drejtohet nga Mario Deda dhe orkestra e tij, ndërkohë që lëvizjet koreografike të aktorëve janë përshtatur nga koreografi Gjergj Prevazi. Vepra do të interpretohet nga një kast prej 20 aktorësh në skenë. Kështu, në rolet kryesore do të jenë: Franku V - Fatos Sela, Otilie - Luiza Xhuvani, Bekman - Neritan Licaj, Egli - Bujar Asqeriu, Nojkom - Roland Trebicka, Frida - Yllka Mujo, Shmalc - Mehdi Malkaj, Kapeler - Naum Shundi, Heberlin - Vangjel Toce, Herbert - Saimir Braho, Franciska - Olta Dako, Hajni - Marko Bitraku, Shlumf - Sokol Angjeli, Vilhelm - Mario Deda, Presidenti i Republikës - Fredi dhe kori.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›