E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i FIFA-s, apeli i fundit për Shqipërinë

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Shampanj, në një intervistë ekskluzive të dhënë për "Top Channel", ka përshkruar situatën e pezullimit të Shqipërisë nga arena ndërkombëtare, duke treguar se cilat janë arsyet që e kanë shtyrë këtë institucion të marrë këtë masë të ashpër. "FIFA respekton sovranitetin e një shteti dhe institucioneve të tij ligjore, por në rastin e Shqipërisë, ne kemi një problem me "Ligjin për Sportin". Në këtë ligj, Federatës Shqiptare të Futbollit i hiqet 10% e të ardhurave nga të drejtat televizive. Jemi të ndërgjegjshëm që qeveria duhet të kontrollojë fondet publike. Por fondet e tjera kontrollohen nga ne nëpërmjet firmave audituese ndërkombëtare. Ne jemi shumë strikt në këtë pikë. Një gjë të tillë ia kemi shpjeguar edhe MTKRS-së nëpërmjet kontakteve të vazhdueshme që kemi pasur, pasi këto para na përkasin ne", u shpreh Shampanj. Çështja e dytë, sipas Shampanj, është mosfirmosja e statutit origjinal të FSHF-së, të miratuar nga Asambleja një vit më parë. "Në qershorin e vitit 2007, në mbledhjen e Asamblesë së FSHF-së, komuniteti i futbollit ka pranuar statutin e ri, sipas instruksioneve të FIFA-s dhe UEFA-s. Por ai nuk është firmosur ende nga ministri. Ne i respektojmë institucionet e një shteti, por edhe ata duhet të na respektojnë ne", vijoi ai. Më pas, sekretari i FIFA-s ka folur edhe rreth "rebelimit" të disa klubeve shqiptare ndaj FSHF-së. "Klubet në vendin tuaj janë anëtare të FSHF-së dhe meqë ajo është pjesëtare e FIFA-s, këto klube duhet të respektojnë statutin tonë dhe vendimet tona autonome. Ne e dimë që do të zhvillohet një takim mes klubeve dhe drejtuesve të FSHF-së. Gjatë kësaj periudhe do të jemi në rolin e vëzhguesit, ndërsa do të shohim edhe reagimin e ministrit Pango", tha Shampanj. Për sa i përket temës së trukimit të ndeshjeve të kombëtares, Shampanj ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë provë për një gjë të tillë dhe se shteti shqiptar duhej të hiqte dorë nga tentativat për të njollosur FSHF-në. "Dua të kujtoj dyshimet për fiksime rezultatesh në dy ndeshjet e fundit. Ashtu siç e dini, gjatë kësaj kohe kemi kërkuar fakte nga shteti shqiptar, por deri në momentin që flasim, asnjë fakt nuk ka mbërritur në zyrat tona. Nuk mendoj se duhen bërë gjëra vetëm për të njollosur FSHF-në. Nuk kam asnjë koment për deklaratën e Kryeministrit Berisha, por ju kujtoj se ju duhej të luanit ndeshje miqësore me kombëtaren e madhe dhe një ndeshje zyrtare me përfaqësuesen U21. Një gjë e tillë nuk po ndodh. Vendimet tona janë autonome dhe me vazhdimin e pezullimit, futbolli shqiptar nuk do të mund t‘i kalojë kufijtë e shtetit", deklaroi Shampanj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›