"Mamaja" e "Harry Potter" ëndërronte vetëvrasjen
Në fillim të viteve ‘90, një nënë e vetmuar, në prag të depresionit i kërkoi ndihmë mjekut të shërbimit shëndetësor kombëtar të Edinburgut, në Skoci. Mjeku kryesor ishte me leje dhe gruaja pritet nga zëvendësuesi i saj, i cili fillimisht nuk e kuptoi se sa e rëndë ishte situata e pacientes së re. Ndaj, me ta parë, e këshillon që të marrë disa mjekime, ndërkohë që gruaja e re ishte në prag të vendimit për të vrarë veten, sepse sapo ishte divorcuar nga i shoqi dhe e vetme e me një fëmijë nuk mund ta përballonte dot jetën. Ajo jetonte në një dhomë të gjetur nga shërbimi shëndetësor shtetëror dhe nuk kishte asnjë mjet jetese. Vajza në hall quhej Joanne Rowling, atëherë një emër krejtësisht i panjohur, ndërsa sot si një nga shkrimtaret më të njohura e më të pasura të botës, që sapo ka vënë firmën e saj në vëllimin e shtatë e të fundit të librit të famshëm "Harry Potter". Në fakt, ajo është e vetmja shkrimtare e gjallë që ka arritur të fitojë nga puna e saj rreth 1 miliard dollarë dhe sipas klasifikimit të revistës amerikane, "Forbes", është më e pasur se vetë Mbretëresha e Anglisë. Shumë vite më parë, situata e kësaj gruaje ishte e dëshpëruar. Vetë Rowling nuk i ka harruar kohët e vështira kur kishte bërë plane se si t‘i linte lamtumirën një jete që deri në ato momente nuk ishte treguar e mirë me të. "Në moshën 20-vjeçare kisha një jetë shumë të vështirë dhe kjo më bëri që ta humbas toruan për disa kohë e të bija në një depresion të thellë. Ndihesha si nën tokë dhe e vetmja gjë që dija të bëja ishin mendimet e vetëvrasjes. Për fat të mirë, pranë meje ndodhej Jesica, ime bijë, e cila një ditë të bukur ma përplasi të vërtetën në fytyrë. Ajo më tha se nuk ishte e drejtë për të që të rritej me një mama që mendonte vetëm për vetëvrasjen. Pikërisht për të mblodha forcat dhe vendosa që të marr ndihmën e mjekëve", tregon shkrimtarja në një intervistë të saj të fundit. Mjeku nuk i dha rëndësi gjendjes së saj fillimisht, duke ia thelluar situatën, e cila ndoshta do të kishte shkuar drejt fatales, sikur disa ditë më pas të mos kishte marrë një telefonatë nga mjekja e saj e sapokthyer nga pushimet. Ajo i kishte lexuar shënimet në kartelën mjekësore dhe e kishte kuptuar që situata e gruas së re ishte në prag të vetëvrasjes dhe se ndërhyrja duhej të ishte e shpejtë. "Kjo mjeke më shpëtoi jetën me telefonatën e saj dhe më pas nisa një terapi intensive dhe biseda të vazhdueshme, të cilat më rikthyen ekuilibrin e humbur. Nuk kam pasur kurrë ndrojtje që të pranoj faktin se kam qenë e zhytur në depresion dhe jam krenare që ia dola mbanë ta lë pas këtë sëmundje, që në një periudhë të jetës më transformoi", thotë vetë shkrimtarja. Ajo nuk është një person që i pëlqen publiciteti apo intervistat, por së fundmi vendosi që të fliste para të gjithëve për një problem të rëndësishëm, i cili në rast se nuk kurohet, mund të marrë jetë njerëzish. Ajo u bëri thirrje të gjithë personave me depresion, apo me simptoma depresioni, që t‘u drejtohen mjekëve para se të jetë tepër vonë. Në të shkuarën, Rowling kishte folur për frymëzimin në shkrimin e aventurave të të famshmit "Harry Potter". Pas divorcit nga i shoqi i parë, një gazetar portugez, Rowling u kthye në vendlindjen e saj. Aty, si për të kaluar kohën, nisi të shkruante aventurat e një personazhi interesant, të cilat kishin kohë që i gëlonin në kokë. Personazhi i çuditshëm quhej Harry, një nga emrat më të famshëm të botës së librave të të gjitha kohërave. Vetë Rowling ishte diplomuar për letërsi franceze dhe kohët e para të rikthimit në atdhe e kishte shumë të vështirë që të gjente një punë për shkollimin që kishte. Të vetmet punë ishin ato të sekretareve. Kohën jashtë punës e kalonte duke shkruar librin e duke latuar personazhet e ngjarjet e çuditshme të botës së Harry Potter-it. Aventurat e tij i imagjinonte edhe ndërsa bënte shëtitje me të bijën në park, kur tundte karrocën e saj me shpresë se vogëlushen do ta zinte gjumi e ajo do të zhytej në botën e Potter-it të saj. Kur vogëlushja dremiste, atëherë hynte në ndonjë kafene dhe hidhte në letër me një laps gjithë mendimet që i kishin ardhur. Tryezat e kafeneve të vogla ishin më mikpritëse e më të dashura për të se tryeza e dhomës që i ishte dhënë për të banuar nga shërbimet shoqërore si e varfër dhe pa mbështetje që ishte. Harry Potter ishte bota ku gruaja e re i fshihej realitetit të rëndë, vetmisë, papunësisë dhe dramës së një martese të prishur e përgjegjësisë së rritjes së një fëmije krejt e vetme. Me përfundimin e librit të parë erdhi beteja e shtypjes së tij. Dorëshkrimin e parë e mbaroi në vitin 1995. Më në fund, pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme e ecejakesh nëpër shtëpi të ndryshme botuese, gjeti një të tillë, shtëpinë "Bloomsburry", e cila nuk donte që të publikonte një libër për fëmijë të shkruar nga një grua. Kështu i sugjeroi autores që ta firmoste librin J. Rowling. Ajo i shtoi emrit germën K, që ishte edhe iniciali i emrit të gjyshes së saj për Kathleen dhe kështu lindi e famshmja JK. Rowling. Librit të parë iu shtuan edhe gjashtë të tjerë, për të bërë kështu një sagë të vërtetë të bëmave të Harry Potter-it, që sot është përkthyer në 65 gjuhë të ndryshme të botës dhe që është shitur në mbi 400 milionë kopje. Libri është shndërruar në film, është kthyer në reklamë, ka mallra që janë me emrin e Harry Potter dhe e gjithë xhiroja e biznesit vlerësohet disa dhjetëra miliardë. Sot, autorja, dikur në prag të vetëvrasjes, është 42 vjeçe, e rimartuar dhe veç vajzës së madhe ka edhe dy fëmijë të tjerë. Për sa ai takon "Harry Potter"-it, ajo ka deklaruar se libri i shtatë do të jetë i fundit i sagës së djaloshi. Megjithatë është shprehur se ka momente kur ndihet e dobët e kërkon të hedhë sërish në letër histori të Harry-t. Kështu ndoshta në një të ardhme mund të krijojë një tjetër libër. Edhe për këtë libër të mundshëm, sikurse edhe për shëndetin e saj, nxitëse është e bija, tashmë 14 vjeçe, Jesica, e cila i lutet të ëmës që të mos e përfundojë me kaq historinë e Harry-t. E ndërsa mendohet, ajo ka në dorë një tjetër vepër, një roman për të rritur tashmë, i cili quhet "Një përrallë politike". Për sa i përket historisë së Rowling, me sëmundjen e saj ajo është një histori me fund të lumtur, por më i rëndësishëm nga të gjitha është apeli i saj ndaj të gjithë atyre që vuajnë nga depresioni: "Kurohuni sa nuk është vonë".
Shkrimtarët dhe depresioni
Virginia Wolf
Kishte kriza të mëdha të ndryshimit të humorit dhe gjendje depresioni të thellë
Ernest Hemingway
Nisi të vuante nga depresioni në vitin 1957. Vrau veten në vitin 1961
Jonathan Ames
Shkrimtari më i dashur nga kritika amerikane, ka pohuar së fundmi se ka kaluar një periudhë shumë të errët depresive
Shkrimtarët dhe depresioni
Virginia Wolf
Kishte kriza të mëdha të ndryshimit të humorit dhe gjendje depresioni të thellë
Ernest Hemingway
Nisi të vuante nga depresioni në vitin 1957. Vrau veten në vitin 1961
Jonathan Ames
Shkrimtari më i dashur nga kritika amerikane, ka pohuar së fundmi se ka kaluar një periudhë shumë të errët depresive