Cana, thirrje tifozëve Ju bëni diferencën
Lorik Cana beson se tifozët besnikë të Sandërlendit do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në sfidën e fundjavës kundër Fulhamit. Kapiteni i “maceve të zeza” i kërkoi “ushtrisë bardhekuqe” që të mbështesë skuadrën për të arritur fitoren e parë pas 14 ndeshjeve. Të besuarit e Stiv Brus ndodhen nën presion dhe Cana deklaroi: “Tifozët bëjnë diferencën në futboll edhe pse ne, futbollistët, jemi aktorët kryesorë në fushë: ne luajmë, shënojmë dhe mundohemi të fitojmë ndeshjet. Me ekipet e mëdha kam përjetuar presionin për të fituar trofe apo një vend në Europë. Tashmë po kaloj të njëjtën situatë, por objektivi është që skuadra t’i shpëtojë rënies nga kategoria. Duhet ta mbyllim sa më mirë sezonin dhe të dalim nga kjo situatë e vështirë”. Në fund, 26-vjeçari shtoi: “Ky klub dhe këta tifozë meritojnë më tepër”.
#