E Diel, 1 Nëntor 2026

Canka: Lushnja di si ta kalojë edhe Besën

Nga Julian Kasapi

Golashënuesi më i mirë i kampionatit, Mikel Canka, thekson se skuadra e tij ka forca për tia dalë edhe në ndeshjen vendimtare në Kavajë

Verdhejeshilët e kanë nisur javën stërvitore pas një analize teknike të ndeshjes me Burrelin, ku fituan 2-0. Këtij kundërshtari lushnjarët i kanë marrë 6 pikë në dy ndeshjet e këtij kampionati, pasi edhe në fazën e parë e kanë mundur në Liri Ballabani.

Rezultati i së shtunës që shkoi në Roza Haxhiu mund të ishte më i thellë, nëse lojtarët e Lushnjës do të ishin më të qetë dhe më të qartë para portës së Bishanit, i cili e shpëtoi mrekullisht skuadrën e tij nga disa gola të sigurt.

Sefa dhe Canka kanë humbur shumë raste, por edhe të tjerët shpërdoruan shumë. Pas ndeshjes, trajneri Malko theksoi se skuadra ishte në gjendje mjaft të mirë dhe luajti futboll me nivel, por ai u ndal edhe te rastet e humbura. Situata do të jetë ndryshe në Kavajë, ku Lushnja do të luajë ndeshjen e radhës me Besën, kështu që është e pafalshme të shpërdorohen aq shumë raste.

Lushnjarët kaluan me sukses dy ndeshje brenda pak ditësh,duke marrë 6 pikë, por më e rëndësishme është transferta e Kavajës, ku pritet të ketë pa dyshim një numër rekord tifozësh nga Lushnja, të cilët nuk mundën ta mbështesnin skuadrën në Roza Haxhiu ndaj Burrelit, për shkak të dënimit të fushës.

Canka Një rekord personal ditën e shtunë ka qenë ai i goleadorit lushnjar, Mikel Canka, që ka shënuar golin e parë pas pak sekondash. Menjëherë sapo Lushnja ka marrë topin nga matjanët, Canka ka zhbllokuar rezultatin me një goditje të fortë nga rreth 25 metra. Topi është përplasur në terrenin e rrëshqitshëm dhe ka përfunduar ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Bishanit, duke tundur rrjetën.

Askush nuk e besonte, por Lushnja kaloi në avantazh pas 13 sekondash. Situata u përsërit në pjesën e dytë, kur pas vërshëllimës së Sokolit, topin e kanë luajtur lushnjarët  dhe Canka ka dalë i vetëm para portierit Bishani, që këtë radhë e ka ndalur. Nëse do të ishte gol, do të shënohej pas 11 sekondash.

Nuk e besoj as vetë si arrita të shënoja aq shpejt, madje në pjesën e dytë isha i bindur se do të shënoja sërish, por, kur dola vetëm para portierit të Burrelit, më pengoi terreni i vështirë. Ishte një ndeshje, ku, edhe pse të lodhur për shkak të ngjeshjes së kampionatit, gjetëm forca për të fituar. Për fat të keq, nuk kishim as mbështetjen e tifozëve tanë. Shpresoj ta kenë parë ndeshjen në kanalet lokale dhe tu ketë pëlqyer, është shprehur sulmuesi lushnjar, golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i kampionatit, me 17 gola.

Besa Më tej, për ndeshjen e radhës, sulmuesi thotë: Është një 90-minutësh vendimtar, që do të tregojë nëse do ta arrijmë ose jo objektivin. Personalisht, besoj se Lushnja ka forca dhe ernergji për ta përballuar me sukses edhe këtë ndeshje. Besa ka treguar se është e vendosur në luftën e saj për kreun e tabelës, ndaj dhe do të jetë një sfidë e bukur. Lushnja do të dijë të shfaqet si pretendente dhe për këtë do të punojmë me të gjitha forcat gjatë javës, ka përfunduar Canka.

17 gola

ka shënuar në 24 javë kampionat sulmuesi lushnjar, duke udhëhequr bindshëm listën e golashënuesve më të mirë

3 pikë

i ka dhënë Mikel Canka Lushnjës në ndeshjen e fazës së parë me Besën, duke shënuar golin e vetëm të atij 90-minutëshi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›