Tek Elbasani mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm
Stafi teknik u beson të rinjve për të marrë sa më shumë përvojë, ndërsa presidenca ka bërë të ditur se do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë
Elbasani nuk ka arritur të fitojë as me Butrintin në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku fazën e dytë ka lënë shumë pikë dhe ka dalë nga objektivi. Verdheblutë janë 10 pikë pas vendit të 5-të, që do të thotë se nuk ka më shanse për në play-off. Tani që nuk kanë më pretendime, drejtuesit e skuadrës do tu besojnë më shumë lojtarëve të rinj, por kjo nuk do të thotë se ata do të tolerojnë.
Krerët e skuadrës kanë deklaruar se fanella e Elbasanit nuk shitet dhe as nuk blihet, që do të thotë se ata duan ta respektojnë kampionatin deri në javën e fundit. Edhe me Butrintin Elbasani nuk toleroi aspak, edhe pse nuk mundi të fitonte. Verdheblutë e dominuan lojën, por nuk arritën të shënonin të paktën një gol për ta fituar ndeshjen. Lojtarët shfaqën dëshirë për të luajtur dhe për të qenë korrektë në këtë fazë të kampionatit.
Ra në sy loja e mirë e të rinjve, të cilët po tregojnë rritje nga ndeshja në ndeshje, duke dhënë siguri për sezonin e ardhshëm. Mund të thuhet pa frikë se Elbasani mund të mbështetet tek ata për të synuar rikthimin në superligë. Vëmendja e stafit teknik është përqendruar pikërisht te këta lojtarë, duke hedhur themelet për sezonin tjetër.
Këta të rinj kanë nevojë të fitojnë eksperiencën e nevojshme për të përballuar një sezon tjetër të gjatë në kategorinë e parë.Dy sezone në kategorinë e parë janë shumë për një skuadër si Elbasani, por ky është realiteti dhe duhet pranuar si i tillë.
Presidenca Nga ana tjetër, presidenca verdheblu ka deklaruar se sezonin e ardhshëm do të jetë një tjetër Elbasan, që nuk do ta diskutojë superligën. Presidenti Arben Laze ka bërë të ditur se do të afrohen lojtarë mjaft cilësore, të cilët, bashkë me të rinjtë aktualë, do të përbëjnë një skuadër shumë të fortë, të aftë për ta realizuar objektivin. Duket se Elbasani ka filluar që tani të mendojë për sezonin e ardhshëm.
