E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Carmina Burana", sot premiera e baletit në TKOB

"Carmina Burana" hap sot sezonin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E krijuar në fillim të viteve ‘900, me autor gjermanin Karl Orf, "Carmina Burana", do të ngjitet në skenën shqiptare nënm koreografinë e Arjan Sukniqit. Vepra e cila do të ngjitet për herë të parë në skenën tonë, do të jetë ndryshe. Ajo është konceptuar si një lloj muzikali, ku përveç trupës së baletit, do të angazhohen edhe kori dhe orkestra e Teatrit. Thuajse të gjithë balerinët do të jenë solistë në këtë vepër, ndërsa është menduar që kënga dhe baleti janë të njësuara.

Orkestra do të dirigjohet nga italiani Fabio Pirona.

Si koncept bazë shfaqja do të zhvillohet në formën e një muzikali nën një gjuhë koreografike me dominancë neoklasike. Realizimi i shfaqjes muziko-koreografike konsiston në arritjen e një uniteti artistik, ku çdo element i veçantë i shërben tërësisë së zbërthimit të përmbajtjes. Në të synohet impakti i madh me publikun dhe sidomos me të rinjtë, ekspozimi i plotë i vlerave të muzikës gjermane të shek. XX, realizimi i një produksioni skenik dhe televiziv që promovon artistët, duke sjellë në skenën shqiptare muzikore një vepër që ka mesazh të qartë filozofik me angazhimin profesional maksimal të rreth 150 artistëve. "‘Carmina Burana‘ është një vepër në të cilën unë kam dhënë shumë nga vetja, sepse ajo të krijon hapësira që të interpretosh, të krijosh dhe të shprehësh atë që ke në mendje, sigurisht duke i qëndruar gjithnjë besnik veprës, muzikës dhe tekstit të saj", shprehet Sukniqi. Për baletin e "Carmina"-s, ai ka zgjedhur të vendosë në qendër një personazh, i cili është në kërkim të fatit e dashurisë. Në këtë kërkim që është njerëzor dhe i gjithhershëm, ai bëhet pjesë e shumë ambienteve. Njihet me të mirën dhe të keqen.

Vepra e kompozuar nga Karl Orff është shfaqur në vitin 1936 në Mynih (Gjermani) me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike të Mynihut. Për shumë vitesh, kjo vepër u paragjykua dhe u ndalua të rivihej në skenë deri sa në fund të viteve ‘90 e deri tani ajo është bërë pjesë e repertorit bazë të teatrove më prestigjioze të botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›