E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa në Vlorë: Të zbatohet detyrimi ushtarak

I ndodhur në Vlorë, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka kërkuar zbatimin e detyrimit ushtarak sipas ligjit në fuqi. Oketa folur edhe për projektin e ndërtimit të anijes ushtarake në Pashaliman i cili po vijon normalisht. 

VLORË - Ministri i mbrojtjes Gazment Oketa, ka qenë i pranishëm në bazën e Pashalimanit dhe në atë të Bunavisë në qytetin e Vlorës, ku ka folur lidhur me shërbimin e detyruar ushtarak. “Të gjithë shtetasit shqiptarë që mbushim moshën 18 vjeç janë të detyruar të respektojnë ligjin i cili është në fuqi. Në këtë brigat të stërvitjes bazë ka ushtarë profesionist, ka ushtarë të rekrutuar në bazë të detyrimit ligjor, ka studentë të Universitetit “Skënderbej”, dhe kjo është brigada ku të gjithë këta ushtarakë bëjnë stërvitjen e tyre bazë”, tha Oketa.
Ministri i Mbrojtjes ka shtuar duke thënë se deri në 31 dhjetor të vitit 2009 shtetasit shqiptarë duhet ti përgjigjen thirrjes për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Gjithashtu gjatë qëndrimit të tij në Vlorë, Oketa ka folur edhe për projektin e ndërtimit të anijes ushtarake në Pashaliman i cili sipas Oketës po vijon normalisht. “të gjithë e dinë që një muaj më parë mbërriti në Portin e Durrësit anija e parë e projektit që Ministria e Mbrojtjes ka në bashkëpunim me qeverinë holandeze, projekti i ndërtimit të katër anijeve të rojës bregdetare. Njëra prej tyre është anija “Iliria” ndërsa tre të tjerat do të ndërtohen në bazën e Pashalimanit punimet e të cilit po i inspektojmë sot”, ka përfunduar ministri Oketa.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›