E Diel, 1 Nëntor 2026

Baleti "Gravitet"

Baleti që do të çelë sezonin e edicionit të nëntë ndërkombëtar të "Klasik" më 7 tetor është titulluar "Gravitet". Ai është ideuar nga Fabrice Lambert, i cili do të interpretojë edhe vetë për rreth 50 minuta. "Gravitet" është vetëm fillimi i "Klasik", që do të vazhdojë më pas me një larmi koncertesh për përçimin e vlerave dhe kulturës evropiane jo vetëm në qytetet e Shqipërisë, por dhe të Ballkanit, e më tej. "Klasik" është menduar si një element pozitiv në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe promovimin e kulturës, si dhe dialogut ndërkulturor në rajonin tonë. Besim Petrela, një prej organizatorëve të këtij aktiviteti, shprehet se ky sezon nuk do të përmbajë vetëm shfaqje të muzikës klasike. Në të do të përfshihen ndër të tjera edhe balet e muzikë xhaz, nën interpretimin e artistëve të huaj por edhe shqiptarë. Gjatë muajit tetor është menduar që në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve, përveç baletit bashkëkohor "Gravitet" me ide, koreografi dhe interpretim të francezit Fabrice Lambert, të vihet në skenë edhe koncert barok nga ansambli "Akademia Dei Solingh", si një bashkëpunim italo-francez. Në vazhdim, grupi "Kapsamun" do të interpretojë muzikë xhaz në një koncert në Akademinë e Arteve. Mes artistëve zviceranë ndodhet dhe saksofonisti shqiptar, Arsim Leka. Në Teatrin e Operës dhe Baletit do të shfaqet koncerti "Grandi Canzoni Italiani", nën drejtimin e Domenico Severino. Në skenën e TKOB do të shfaqet edhe koncerti Duo Vokal dhe piano, si një bashkëpunim shqiptaro-çek. Muaji nëntor do të vijojë ndërkohë me interpretimin e pianistit francez Francois Pinel, i cili do të prezantohet para publiku shqiptar i shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së, në Akademinë e Arteve. Sopranoja italiane Anna Maria Castelli do të prezantohet gjithashtu në koncert në Akademinë e Arteve. Gjatë dhjetorit do të vijë në koncert grupi holandez i xhazit "Les Femmes". Pas tij, do të jetë "Duo Sinergy", me artistët italianë Francesco Biraghi dhe Tania Camargo Guarnieri, që do të mbyllë pjesën e parë të sezonit të "Klasik" në edicionin e nëntë të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›