Cavusoglu, politikani i parë homoseksual turk

Një homoseksual turk do të kandidojë për zgjedhjet lokale që janë të parapara të mbahen në muajin mars dhe nëse arrin të fitojë, do të bëhet personi i parë që i përket komunitetit LGBT që do të mbante një funksion shtetëror në Turqi, njoftojnë mediat lokale turke.
Can Cavusoglu, i lindur në Stamboll, dhe që ka studiuar në SHBA, ka njoftuar se do të jetë kandidat i pavarur për zgjedhjen e kryebashkiakut të Bulancak, qytet në detin e Zi.
Kandidati në fushatën e tij thotë se është “aktivist i homoseksualve”, luftetarë i të drejtave të grave, fotograf dhe shkrimtar” dhe se ai shpreson që nëse arrin të fitojë zgjedhjet, do të tërheq më shumë investime amerikane.
Homoseksualiteti në Turqi nuk është i ndaluar me ligj, por shumica e banorëve të këtij shteti ende i sheh me dyshim të madh pjesëtarët e këtij komuniteti pakicë.
Agjencia e lajmeve France Press raporton se gjatë dhjetë vjetëve të fundit është forcuar lufta për të drejtat e komunitetit LGBT në Turqi. /Indeksonline/