ÇOHU: Mbrapa Axos, qëndron Deutsche Telekom

Privatizimi i kompanisë publike më fitimprurëse në Kosovë, Posta dhe Telekomi i Kosovës, është bërë nën presion, me thyerje të ligjeve dhe kushteve të parapara, si dhe është përshkuar me mungesë të theksuar të transparencës. Ky wshtw konstatimi qw ka nxjerr nga njw hulumtim Organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.
Sipas këtij hulumtimi, mënyra se si Komisioni Qeveritar për Privatizim, e ka trajtuar gjithë procesin e privatizimit të PTK-së, qysh nga zanafilla e tij, tregon se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur si qëllim valorizimin e PTK-së, por tregtimin e saj për të përmbushur borxhe të së shkuarës, si dhe për të shfrytëzuar këtë mundësi për zhvatje duke përfshirë në këtë proces kapital që po i fshihet prejardhja. Si përfundim. ky proces është finalizuar me një vendim të qeverisë për ta shitur pa u ditur mirë se kush në të vërtetë qëndron prapa blerësit.
Hulumtimi i Organizatës ÇOHU! hedhë dyshimin se lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, ACP Axos Capital Partners nuk është blerësi real i PTK-së, por vetëm ai formal.
Hulumtimi ka ardhur në dy përfundime të mundshme mbi mundësinë se kush realisht qëndron mbrapa fondit investues ACP Axos Capital Partners.
Sipas ÇOHU, mundësia e parë ka të bëjë me faktin që njëra ndër kompanitë që qëndron mbrapa ACP Axos Capital Partners, mund të jetë gjiganti i telekomunikacionit botëror Deutsche Telekom (DT).
Hulumtimi nxjerr në shesh se themelues dhe drejtues të ACP Axos Capital Partners, janë në fakt ish zyrtarë të lartë të DT-së. Hulumtimi tregon edhe aspekte tjera kur drejtues të ACP Axos Capital Partners kanë lobuar në emër të DT-së për të blerë kompani të ndryshme të telekomunikacionit nëpër vende tjera të rajonit.
“Dy prej themeluesve të Axos-it, në fakt janë dy nga ish zëvendës drejtorët e DT-së, Jan Georg Budden, njëri ndër themeluesit dhe drejtor i tashëm ekzekutiv i Axos-it, ka qenë zëvendës drejtor në DT. Po ashtu, Stephan Schroeder, njëri ndër themeluesit dhe partner menaxhues (Managing Partner), ka qenë po ashtu zëvendësdrejtor në DT. Për më shumë, zyrtari ligjor dhe njeriu i cili ka përfaqësuar Axos-in në procesin e tenderimit të PTK-së, Georgi Dimitrov, një maqedonas, del që me kompaninë e tij ligjore të ketë po ashtu klient DT-në në procese tjera”.
Hulumtimi ÇOHU! pretendon se nxjerr të dhëna të cilat i shtojnë peshë supozimit se në fakt mbrapa Axos-it qëndron DT-ja, është edhe përfshirja e së parës në procesin e privatizimit të BH Telekom të Bosnjës si dhe në atë të Albtelekomit në Shqipëri.
“Në rastin e tentim privatizimit të BH Telekom, njeriu i cili ka lobuar në emër të DT-së, Volket Rühe në fakt në atë kohë, më 2008, ka qenë presidenti i Bordit të Axos-it, si dhe ish ministri i mbrojtjes. Po ashtu, edhe në rastin e tentim privatizimit të Albtelekomit, emri i ish- ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Volket Rühe del të ketë qenë i përfshirë në cilësinë e anëtarit të bordit të Axos-it, si lobues për ta privatizuar kompaninë e cila iu shit Calik Enerji nga Turqia”, tregon hulumtimi.
Këto lidhje të ngushta të njerëzve kyç të Axos-it me DT-në, sipas drejtuesve të organizatës ÇOHU, në fakt ofrojnë indicie të qarta se mbrapa liderit të konzorciumit fitues të PTK-së, mundet shumë lehtë të qëndroj DT-ja. /Indeksonline/