E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinës i kthen 1013 libra të amzës

Ministria e Punëve të Brendshme bëri sot dorëzim-pranimin e librave të skanuar dhe të certifikuar të gjendjes civile për Komunën e Prishtinës. Gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimin, ministri Bajram Rexhepi tha se dorëzimi i librave themeltarë të gjendjes civile do të jetë ndihmesë e madhe për plotësimin e informatave për qytetarët e Kosovës.

Një mijë e trembëdhjetë libra të amzës, të kthyera nga Serbia, i janë dorëzuar sot Komunës së Prishtinës. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, potencoi se Zyrat Civile do ta kenë më të lehtë kompletimin e informacioneve për qytetarët. Ndërsa, shtoi se kompletimi i të dhënave është një prej kërkesave në procesin e liberalizmit të vizave.

Në anën tjetër, drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Edon Miftari, tha se kompletimi i të dhënave ndihmon që qytetarët të pajisen me informata korrekte.

Projekti për kthimin e dokumenteve të gjendjes civile, i ndihmuar nga Komisioni Evropian dhe EULEX-i, ishte planifikuar të përfundojë në tetor të këtij viti por për shkak të ngecjes në dinamikën e skanimit, printimit dhe certifikimit, Këshilli drejtues e ka shtyrë afatin deri në mars të vitit 2014 kur edhe do të përfundojë projekti. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›