E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çarteri nuk paguan detyrimet, kuqezinjtë vonohen në Reikjavik

Sikur të mos mjaftonte ajo humbje kundër Islandës, Kombëtarja shqiptare e futbollit ka hasur vështirësi edhe për rikthimin në atdhe. Nga sa është mësuar, nga kryeqyteti i Islandës, Reikjavik, Kombëtarja shqiptare e futbollit bashkë me gazetarët dhe stafin përcjellës kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Reikjavikut. Aeroplani, që ishte çarter direkt për në Tiranë, duhej të nisej në ora 11:00 të paradites së djeshme për në Aeroportin "Nënë Tereza", por ai është nisur shumë me vonesë, rreth 3 orë e ca, pasi kompania shqiptare e fluturimeve nuk kishte paguar linjën për korridorin ajror, që është e domosdoshme. Kjo veçse e thellon edhe më tepër krizën brenda kombëtares dhe paaftësinë e drejtuesve të FSHF-së që të menaxhojnë organizime të tilla, sidomos gjatë udhëtimeve në transfertë. Kohët e fundit Kombëtarja shqiptare udhëton me çarter në ndeshjet e transfertës, kjo për të shmangur çdo të papritur me avionët e linjave dhe vonesat e mundshme, sikurse ka ndodhur jo pak herë në të kaluarën. Por nuk qenka e thënë, pasi edhe me çarter kuqezinjtë kanë vuajtur jo pak herën e fundit, aq më tepër me një moral të tillë të rënë. 
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›