E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelaj: Do të fitojmë këtë herë

 Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se sot PDK-ja do ta zyrtarizojë emrin e kandidatit për kryetar të kryeqytetit. Ai ka thënë se qytetarët janë shumë të zhgënjyer me qeverisjen aktuale të Prishtinës.

Çelaj është shprehur i bindur në fitoren e kësaj partie në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Duke parë situatën në terren, jam shumë optimist se partia e parë në Prishtinë do të dalë PDK-ja pas zgjedhjeve të 3 nëntorit”, ka thënë Çelaj në intervistën për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se PDK-ja do të shënojë fitore në kryeqytet në rundin e dytë të zgjedhjeve. “Jam optimist se PDK-ja do ta fitojë pushtetin në Prishtinë.

"Pushtetin nuk do ta fitojmë në rundin e parë, por në balotazh”, është shprehur Çelaj, duke shtuar se qytetarët janë të zhgënjyer me qeverisjen aktuale në Prishtinë.

“Qytetarët janë shumë të zhgënjyer me qeverisjen aktuale të Prishtinës. Janë bërë rreth 14 vjet prej që LDK-ja është në krye të komunës. Nuk e di nëse ka diku në rajon ndonjë kryeqytet që është udhëhequr prej të njëjtit subjekt politik 14 vjet rresht. Prandaj, konsideroj se janë pjekur kushtet. Qytetarët janë lodhur me këtë qeverisje. Për më mirë, duhet ta provojnë një udhëheqje tjetër”, ka deklaruar Çelaj./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›