E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Velijajn vendoset të Hënën

Për Natali Velijajn vendoset javën që vjen. Është e hëna tjetër kur Prokuroria duhet t’i marrë parasysh të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të, e ta ngrit një aktakuzë, ose duhet ta lirojë Velijajn përfundimisht.

Krejt kjo, pasi shtyrja e paraburgimit prej janarit e deri më tash nuk ka më kurrfarë baze ligjore.

Kështu të paktën thotë avokati mbrojtës i gruas e cila dyshohet se i keqpërdori paratë e pasaportave biometrike, Nuhi Paçarizi.

Sipas Paçarizit, 9 shtatori është data kur klientes së tij i skadon afati për paraburgim. E është pikërisht kjo ditë tek e cila ai nuk beson mëqë Velijajt do t’i duhet të qëndrojë në burgun e Lipjanit. “Nuk besoj më që i vazhdohet paraburgimi”, ka thënë Pacarizi për Express.

Krejt kjo, pasi avokati thotë se vazhdimi i kësaj masa i ka kaluar të gjitha limitet.“Prandaj ose duhet të ngritët një aktakuzë ose klientja ime duhet të lirohet në një procedurë të rregullt”, pohon ai.

Natali Velijaj u arrestua në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimet për keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në rastin e prodhimit të pasaportave biometrike. Prej asaj kohe asaj me kërkesë të prokurorit Gjykata e Qarkut në Gjilan, ia ka shtyrë paraburgimin nga dy muaj deri më sot.

Rrjedhimisht, prej se është arrestuar, Velijaj ndodhet në burgun e Lipjanit. Avokati i saj sqaron se që nga janari, klientene tij më askush kurrë nuk e ka marrë në pyetje. “Nëse ajo do të ishte e dyshuar se ka keqpërdor paratë, natyrisht se për çdo dyshim atë EULEX do ta merrte në pyetje”.

Sidoqoftë, sipas vlerësimeve fillestare dhe hetimeve të para nga Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht nga prokurorë të EULEX-it dhe prokurorë vendas, del se Velija ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka përvetësuar shumën prej 1.4 milion eurosh që është dashur të transferohet te një kompania austriake që prodhonte pasaportat biometrike për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Velija gjendet në paraburgim, së bashku me dy persona të tjerë për këtë çështje. E njëjta pasi që i është caktuar paraburgimi kishte kërkuar që të shpallet nga gjykata dëshmitare bashkëpunuese, por një gjë e tillë ishte refuzuar.

Velija më pas kishte paraqitur në prokurori edhe dokumente me të cilat ajo ishte e autorizuar nga firma austriake që të veprojë në Kosovë në emrin e saj. Ajo tani pretendon se të gjitha 1.4 milionët i ka transferuar në kontot e zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një zyrtari të Ambasadës Austriake në Kosovë, ashtu siç i kishte e kishte udhëzuar kompania austriake OeSD.

Megjithëse, Velija, pronarja e kompanisë “Consulting EU Sh.P.”, pos skandalit me pasaporta ka edhe një rast të mëhershëm penal për keqpërdorim të fondeve.

Gjatë kohës kur po punonte si përfaqësuese e kompanisë që kishte kontratë me Ministrinë e Punëve të Brendshme ajo ishte duke u paraqitur në gjykatë, ku po përballej me akuzat e prokurorit publik për keqpërdorimin e 7 400 eurove, të cilat ishin ndarë për renovimin e një shkolle në fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Sipas aktakuzës së prokurorit, Velija akuzohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare duke keqpërdorur fondet e OJQ-së “Dielli i Kosovës”, në të cilën Velija ishte drejtoreshë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›