Çelsi mbetet favorit, shpreson edhe Benfika
Çelsi ka dy misione për të kryer në këtë fund sezoni, sigurimin për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, teksa ndodhet në vend të tretë për momentin në Premier Ligë, kur mbeten edhe 4 ndeshje deri në fund, ndërsa të fitojë edhe Ligën e Europës, teksa është një hap larg finales, pasi në ndeshjen e parë të luajtur në transfertë me Bazelin, ka fituar 2-1. Ka qenë pikërisht minuta e tretë shtesë kur David Luiz shënonte për herë të dytë, duke e bërë misionin më të lehtë në kthim. Do të ishte një arritje jo e vogël jo vetëm për Çelsin, por edhe për trajnerin Benitez, i cili është kontestuar jo pak edhe nga tifozët. Ndërsa gjysmëfinalja tjetër, ajo mes Benfikës dhe Fenerbaçes mbetet e hapur. Turqit kanë fituar 1-0 në ndeshjen e parë në shtëpi, por kjo nuk do të thotë se janë favoritë, pasi portugezët kanë deklaruar se do të bëjnë të pamundurën për të qenë ata në finale. Një përmbysje e mundshme, kur Benfika në fushën e saj është e papërmbajtshme dhe mund këdo. Gjithsesi, dy ndeshje që ia vlen të ndiqen në mbrëmje, edhe pse nuk janë si të Championsit.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)