E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operohet Zaneti, në fushë pas 6 muajsh

Ka përfunduar me sukses operacioni në tendinën e Akilit për kapitenin e Interit, Havier Zaneti, i cili u dëmtua gjatë sfidës kundër Palermos të dielën që shkoi. Ai pritet të dalë nga spitali që sot. Profesor Benazo, mjeku që e ka operuar argjentinasin, ka shpjeguar se ndërhyrja kirurgjikale shkoi më së miri dhe se tani Zaneti do të duhet të qëndrojë 3 javë me këmbën e palëvizur. Më pas do të fillojë rehabilitimi. Në këto raste do të duhen të paktën 6 muaj për një rikuperim të plotë. “Zaneti do të luajë sërish. Tendina është riparuar duke përdorur një tjetër pjesëz të këmbës së tij dhe duke e futur përsëri në kockën e thembrës. Ndërhyrja kirurgjikale shkoi në perfeksion dhe zgjati rreth 1 orë e 15 minuta”, - shpjegoi profesor Francesko Benazo, pas operacionit që iu nënshtrua mbrojtësi zikaltër në “San Mateo” të Pavias. Këto janë raste të rënda, kështu që do pritet një rikthim i tiji në aktivitet sportiv pas 6 muajsh. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›