E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi në “majën” e Evropës, Bajerni tradhtohet nga yjet

MYNIH- Roberto Di Mateo arrin të bëjë realitet një ëndërr që zgjaste 9 vjet, pikërisht që atëherë kur Roman Abramoviç u bë president i Çelsit. Në Mynih, në një finale epike që ka zgjatur 120 minuta, blutë e Londrës u shpallën për herë të parë kampionë të Evropës për klube. E kanë bërë këtë në një mënyrë aspak të bukur, duke qëndruar në mbrojtje dhe duke pritur penalltitë, por në fund, ajo që ka rëndësi është trofeu. Çelsi e niste ndeshjen si jofavorit, por në fund ka ditur të marrë më të mirën ndaj një ekipi që luante përballë tifozerisë së tij. 

Në “Allianz Arena”, skuadra e drejtuar nga italiani Roberto Di Mateo ka bërë atë që askush nuk e mendonte, duke qenë se përballë ishin të zotët e shtëpisë, një ekip i mësuar me finale e trofe të tillë. Gjithçka është vendosur nga penalltitë, aty ku Çelsi ka qenë më i saktë, duke shënuar katër dhe duke humbur vetëm një, ndërkohë që bavarezët kanë humbur dy të tilla, pas 120 minutave që mbaruan 1-1. Në fund, festa ka qenë e gjitha e londinezëve, të cilët e fitojnë për herë të parë Ligën e Kampioneve, një ëndërr të vjetër të pronarit të tyre rus. Me një Drogba që duket i rinuar dhe me një mbrojtje të hekurt, kjo skuadër ka arritur të shkruajë historinë pikërisht në Gjermani, pas dështimit të 4 viteve më parë në Moskë. E të mendosh që gjithçka dukej e mbaruar deri dy minuta para fundit, pas golit të shënuar nga Tomas Myler në minutën e 83- të. Por, Didier Drogba barazoi shifrat me kokë pas një goditje këndi, duke i çuar skuadrat në shtesë dhe duke rihapur gjithçka për skuadrën e tij. 

NDESHJA
Megjithë fitoren e Çelsit, Bajerni e ka dominuar totalisht finalen e mbrëmshme. Skuadra gjermane, e mbështetur edhe nga një tifozeri e zjarrtë, e ka mbyllur Çelsin në zonën e vet, por gabimet e Mario Gomez para portës dhe ndonjëherë edhe fati, kanë bërë që blutë të rezistojnë. Në pjesën e parë, për t’u regjistruar një goditje e Roben, që u devijua në shtyllë nga portieri Petr Çeh. Çelsi e pati rastin e vetëm në minutën e 37-të, kur Kalu goditi portën, për t’u ndalur nga Nojer. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Mario Gomez pati një shans të artë, por i vetëm në zonë goditi lart. Në pjesën e dytë skuadrat qenë më të kujdesshme edhe pse Bajerni nuk ka rreshtur së sulmuari. Myler rrezikoi dy herë në minutat 78’ dhe 82’, ndërkohë që nuk e bëri këtë në të 83- tën, kur mposhti Petr Çeh me një goditje të saktë me kokë. U duk se çdo gjë mbaroi, por një goditje këndi pa shumë pretendime, solli golin e barazimit. Dy minuta para fundit, Drogba kërceu në shtyllën e parë, duke mposhtur Manuel Nojer. Skuadrat iu drejtuar shtesës, aty ku Bajerni pati shansin më të artë për të shënuar në minutën e 93-të, por Arjen Roben gaboi fatalisht përballë pikës së penalltisë, së fituar nga Riberi. Pas 30 minutave të mbyllura pa gola, u deshën penalltitë për të vendosur fituesin. Huan Mata gaboi për Çelsin, por në dy penalltitë e fundit, Oliç e Shvajnastajger u treguan të pasaktë, duke i dhuruar trofeun ekipit anglez.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›