Çështja çame në kuvend

Deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të dorëzojnë nesër zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Iniciativa e paralajmëruar prej kohësh dhe e kërkuar për shumë vite nga shoqata të shumta çame, konkretizohet ditën e hënë me këtë iniciative ligjore e cila parashikon që të jepet një qëndrim zyrtar nga pala shqiptare për genocidin çam.
Rezoluta përmban 13 pika, të cilat, siç nënvizon PDIU, mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar.
Në relacionin shpjegues, PDIU thekson se rezoluta propozon zgjidhje që janë brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar, atij dypalësh, më konkretisht Traktatit të Miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, legjislacionit grek, për çështje të tilla si fajësia individuale dhe jo kolektive e çamëve, e drejta e lëvizjes së lirë, të pronës, të shtetësisë, etj. “Rezoluta në thelb kërkon të bëjë aktiv Traktatin e miqësisë dhe jo ta lerë atë si një letër e vdekur siç është sot, sa i takon të drejtave të shqiptarëve çamë dhe më gjerë”, nënvizohet në relacion. Në rezolutën që do të propozohet nga dy deputetët e PDIU-së kërkohet rivendosja e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare./Indeksonline/