E Diel, 1 Nëntor 2026

Çitaku: Kosova po përmbush kriteret e KE-së

Institucionet e Kosovës janë në finalizim të përmbushjes së kritereve që Komisioni Evropian i ka paraparë në Raportin e Fizibilitetit për Kosovën.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku tha për Radio Kosovën se deri në mars të vitit të ardhshëm Kosova do të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave për stabilizim asociim me Komisionin Evropian.

Reformat e shumta demokratike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore dhe të drejtat e komuniteteve, janë kriteret që i janë kërkuar Kosovës me publikimin e studimit të fizibilitetit. Gjitha këto sipas zyrtarëve janë në rrugë të mirë për t’u përmbushur.

Ministrja e integrimeve evropiane Vlora Çitaku ka shpjeguar  se deri ku kanë arritur me rezultate:“Ta zëmë miratimi i strategjisë antikorrupcion ka kaluar në Qeveri dhe tani pret miratimin në Parlament, kemi buxhetimin e kërkesave të Avokatit të Popullit pa ndërhyrje nga ana e qeverisë, kërkesa buxhetore e tyre ka kaluar e paprekur në ligjin e buxhetit , ka kaluar në lexim të parë dhe presim që si e tillë të miratohet edhe në lexim të dytë. Janë tri udhëzime administrative të cilat ndërlidhen me reformën e administratës publike të cilat po ashtu janë finalizuar, pastaj është miratimi i strukturës së re brenda ministrisë së tregtisë, po ashtu janë finalizuar shumica e sfidave të identifikuara janë në një fazë finale”,tha ministrja Çitaku.

Sfidë mbetet çështja që lidhet me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila varet nga gatishmëria e Kishës ortodokse serbe për bashkëpunim. Ndërkohë ministrja Çitaku është optimiste me vlerësimin e punës nga ana e Komisionit Evropian.

“Në në fund të vitit do t’ia dërgojmë një raport Komisionit Evropian, unë pres që ata ta shqyrtojmë, realisht është e pritshme deri në mars të vitit të ardhshëm, pasi proceduralisht nuk mundet më shpejtë të marrim dritën e gjelbër për negocimin e MSA-në”, tha Çitaku.

Fillimi i dialogut për MSA me Bashkimin Evropian, është parakusht para marrjes se statusit të vendit kandidat për anëtarësim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›