E Diel, 1 Nëntor 2026

Çitaku: Në shtator dihet kur kosovarët mund të lëvizin pa viza

Marrëveshja e 19 prillit do të ratifikohet edhe përkundër kundërshtimeve të Vetëvendosjes, ndërsa në shtator do të dihet se kur kosovarët mund të lëvizin pa viza drejt zonës së Shengenit. Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, në KTV.  Kosova paralajmëron Serbinë se nëse nuk zbatohet Marrëveshja e 19 prillit mund të përsëritet 25 korriku i vitit 2011.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila u bë politikania e parë kosovare që vizitoi Beogradin, ka thënë se këtë e ka thënë edhe në kryeqytetin serb dhe nuk bëhet fjalë për kërcenim, por paralajmërim, ngaqë, sipas saj, Kosova nuk mund të presë deri në pafundësi për zbatimin e marrëveshjes.

Nuk ka dhënë datë për nisjen e zbatimit, por ka potencuar se liria e lëvizjes është edhe thelbi kryesor i marrëveshjes.

Ministria e Integrimeve ka ngurruar të japë datën e saktë edhe për atë se kur kosovarët do të mund të lëvizin pa viza, por ka premtuar se një gjë e tillë do të bëhet gjatë mandatit të saj si ministre e Integrimeve.

Çitaku, e cila në përgjimet telefonike kishte deklaruar se “kot e ka PDK-ja derisa ka në krye të Kuvendit qëndron Jakup Krasniqi”, ende mendon se ai është pjesë e identitetit të PDK-së.

Ajo u ka bërë thirrje Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit që të ulen dhe të bisedojnë, pasi, sipas saj, ka ende hapësirë fushëveprimi për Krasniqin brenda PDK-së

Duke vlerësuar se postet e ministrave nuk i kanë me tapi, ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës ka nevojë për një ristrukturim të ndjeshëm, e jo për ndryshime kozmetike.

Ministrja Çitaku ka thënë se është e zhgënjyer me Lëvizjen “Vetëvendosje” sa i përket debati për fenë, meqë, ajo e kishte konsideruar këtë lëvizje më liberale dhe më avangarde./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›