Amnistinë e vlerëson ndryshe Kuçi, ndryshe Vetëvendosje

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për amnistinë, i cili në bazë të Planit për zbatimin të marrëveshjes së 19 prillit, do të duhej të bëhej deri në mesin e këtij muaji. Ky projektligj do t’i dërgohet Kuvendit, shqyrtimi i së cilit do të bëhet në të njëjtën ditë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shpjeguar në detaje Projektligjin për amnistinë, duke hequr dilemën se ligji do t’i amnistojë kriminelët. Kuçi më tej ka shtuar se amnistia do të përfshijë të gjitha periudhat kohore. Ai ka shtuar se është hera e parë që Kosova po e tregon vullnetin politik për të krijuar amnisti. Por, për Vetëvendosjen, amnistia është falje ndaj të gjitha krimeve që janë bërë në Kosovën e pasluftës. Lideri Albin Kurti ka thënë se kriminelët do të amnistohen duke përfshirë edhe ata që kanë djegur pikat kufitare në veri.
Kohavisioni e kishte siguruar draftin e Projektligjit për amnisti, në të cilin përfshihet amnistimi i më shumë se 100 veprave penale. Në nenin 1 të këtij projektligji që përcaktohet qëllimi i tij sqarohet se me këtë ligj rregullohen kushtet dhe procedurat e amnistisë për personat e dënuar për vepra penale të parapara me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”./Indeksonline/