E Diel, 1 Nëntor 2026

Çitaku: S’na duhet liberalizmi në një shtet talibanesk

(E plotësuar) Ministrja Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur Hoxhë Shefqet Krasniqit, i cili i ka sugjeruar asaj që të merret me punët e saj e jo më hoxhallarët.

Deklaratat e Krasniqit vijnë pasi që Çitaku kundërshtoi fort deklaratat e Hoxhë Irfan Salihut në lidhje me “moralin” e femrave shqiptare.

Ministrja e Integrimeve Europiane tha se do të merret me punët e saj, por i kujtoi Krasniqit se liberalizimi s’ka asnjë kuptim nëse vendi shndërrohet në një “shtet telibenesk”.

“Pikë së pari, agjenda Europiane dhe konteksti kulturor e politik nuk janë kontekste të shkëputura, por ndërveprojnë njëra me tjetrën. As njëra e as tjetra nuk mund të përmbushen/ndërtohen/shkatërrohen vetëm nga një individ! E dyta, ata që më thonë merru me viza e këqyri punët tua u them: Po, me viza po merrem dhe do të merrem. Po asgjë nuk na duhen vizat në një shtet talibanesk! Dhe mos më thoni tani Jo luftojeni krimin e korrupsionin se ato Janë rreziku i vërtetë, sepse pajtohem plotësisht! Po prania e korrupsionit nuk e amneston fundamentalizmin! Unë kam me i luftu të dyjat!”, ka shkruar Çitaku në rrjetin sociali, Facebook.

......................

Hoxhë Shefqet Krasniqi, mbrëmë në emisionin “Rruga e ndriquar” ka folur lidhur me ligjëratën e hoxhë Irfan Salihut.

“Personi i parë që ka reaguar lidhur me ligjëratën e hoxhë Irfanit, është ministresha e cila kurrë asgjë s’ka bërë për ministrinë e vet. Hiç hiç kurrë” është shprehur Krasniqi, duke iu referuar reagimit të ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitakut.

“Edhe 1 muj bëhet liberalizimi i vizave edhe 2 muj edhe 1 vjet. Jo zonjë liberalizimi i vizave për ty ndoshta është bërë por për ne jo” është shprehur ai.

“Zojë më mirë këqyri punët e tua” i është drejtuar Krasniqi ministres Çitaku. Ndërsa sa i përket reagimit të djeshëm të tri deputeteve, Alma Lama, Teuta Sahatqija dhe Blerta Deliu, Krasniqi, siç raporton infoglobi, është shprehur se ishin këto deputete ato që 2 vite më parë “na e nxinë Bajramin”. “Ju me dorën tuaj votuat kundër mbulesave, na e keni nxirë Bajramin. Mos mendoni se ne harrojmë, Jo jo zonja nuk harrojmë” është shprehur ai./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›