Dallime rreth Raportit financiar të ZRRE-së

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e senacës së sotme, është duke shqyrtuar Raportin vjetor financiar të Zyrës së rregullatorit për energji për vitin 2012. Dy grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së, janë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë raport, pasi sipas tyre, ka shumë paqartësi.
Raportin vjetor financiar të Zyrës së rregullatorit për energji për vitin 2012, e ka shqyrtuar Komisioni funksional për zhvillim ekonomik infrastrukturë, tregti dhe industri, dhe i ka rekomanduar Kuvendit për miratim, ndërkohë Komisioni për buxhet dhe financa që gjithashtu ka shqyrtuar këtë raport, i ka rekomanduar Kuvendit për mosmiratimin e tij.
Kryetarja e komisionit për buxhet dhe financa, Stafete Hadërxhonaj, theksoi se nga të dhënat shtesë të Zyrës së Rregullatorit, është vërtetuar se gjatë vitit 2012 kjo zyrë ka ekzekutuar paga dhe mëditje në rritje për të gjithë punonjësit e zyrës e në veçanti për bordin e kësaj zyreje pa pasur mbështeje ligjore. Komisioni për buxhet dhe financa vlerësoi se për shkak të tejkalimeve të shpenzimeve, të mos përkrahet ky raport, transmeton RTK.
Shaip Muja nga Grupi parlamentar i PDK-së, tha se mbi bazën e informacioneve që kanë marrë komisionet, del se ky raport është paraqitur në mënyrë profesionale. Deputeti Muja, theksoi se përkundër vërejtjeve për shpenzimin e gjeneruar, ky raport duhet të votohet.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Hashim Deshishku, theksoi se në përgjithësi e përkrahin raportin vjetor financiar të Zyrës së rregullatorit, por paraqiti disa vërejtje dhe paqartësi, që sipas tij, nuk përfshihen në raport. Ai tha se në sektorin e energjetikës paraqitet një situatë me probleme të zakonshme, duke theksuar se prodhimi nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e tregut.
Lidhja Demokratike, propozoi që sa u përket tarifave, Zyra e rregullatorit të bëjë edhe një tabelë për të parë se ku qëndron Kosova në krahasim me vendet e rajonit.
Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë këtë raport, pasi siç tha, humbjet në transmision, shpërndarje dhe treguesit e e faturimit dhe arkëtimit tregojnë absurditetin e privatizimit të kompanisë kosovare për distrubuim dhe furnizimi me energji elektrike.
Edhe Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, theksoi se nuk do ta votojnë këtë raport. Ndërkohë grupi i deputetëve të AKR-së e mbështetën raportin, me gjithë vërejtjet e tyre. /Indeksonline/