E Diel, 1 Nëntor 2026

Çitaku optimiste: Liberalizimi i vizave do ta ketë një fund

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se raporti për vizat, i cili do të publikohet sot, është përgjithësisht pozitiv.

Çitaku, në një intervistë për “Epokën e Re”, theksoi se ky raport vlerëson të arriturat që janë shënuar, duke identifikuar edhe sfidat të cilat e presin Kosovën në këtë proces.

“Nuk ka fjalë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe migrimi ilegal janë sfidat kryesore me të cilat Kosova do të vazhdojë të ballafaqohet edhe në të ardhmen”, ka thënë Çitaku.

Ajo nuk ka parapëlqyer të flasë me data se kur do të mund të lëvizin pa viza qytetarët e Kosovës.

“Gjithçka që nis ka një fund. Edhe procesi i liberalizimit të vizave do të ketë fundin e vet. Ju e dini se unë gjithmonë kam qenë e rezervuar me data dhe as këtë herë nuk do të flas me data.

Është mirë që në këtë raport vlerësohet puna jo vetëm e Qeverisë, por edhe e institucioneve tjera. Mund të them se mundi asnjëherë nuk na ka shkuar huq”, ka deklaruar Çitaku./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›