E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës në rënie, hidhen rezervat në treg

TIRANE-Nafta në tregjet botërore ka shënuar një rënie të ndjeshme, duke kaluar, nga niveli mbi 100 dollarë për fuçi, në 90.8, që shënoi dje mesatarisht në bursat kryesore ndërkombëtare të lëndëve të para. Kjo u shoqërua me ulje të çmimeve të pakicës në vende të ndryshme të botës, që kanë konsumin më të madh, ndërkohë që pritet të ndodhë një gjë e tillë edhe në Shqipëri, ku gjithnjë ndryshimet e tregut janë transmetuar më me vonesë. Kjo, si pasojë e largësisë me tregjet e importit, ashtu edhe për shkak të detyrimit të mbajtjes së një rezerve të lartë nga kompanitë kryesore të importit.

Ndërkohë, lajmi më pozitiv ishte ai që Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë. Deklaroi publikisht se do të hedhë në treg muajin e ardhshëm miliona fuçi nafte nga rezervat e emergjencës, për të kompensuar mungesat e naftës në treg si pasojë e luftimeve në Libi. Zyrtarët e Agjencisë thanë se, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit nga Libia, tregut i mungojnë 132 milionë fuçi nafte të cilësisë së lartë, gjë që ka dëmtuar rimëkëmbjen ekonomike. Sekretari amerikan për Energjinë Stephen Chu deklaroi se gjysma e sasisë do të hidhet në treg nga Rezerva Strategjike Amerikane, e cila ka arritur në nivelet rekord prej 727 milionë fuçish. Këto rezerva janë prekur vetëm dy herë në kaluarën, gjatë luftës së Gjirit Persik, në vitin 1991 dhe pas dëmit që shkaktoi uragani Katrina, në vitin 2005, në rajonet naftëmbajtëse të Gjirit të Meksikës.

Njoftimi për hedhjen në treg të naftës nga rezervat strategjike u dha ndërsa çmimi i naftës në bursën e Nju Jorkut kishte rënë, për shkak të njoftimeve jopozitive për rritjen e ekonomisë amerikane. Perspektiva e uljes së zhvillimit ekonomik pasohet gjithnjë me rënie të çmimit të naftës, pasi në një ekonomi të dobët bie kërkesa për energji. Çmimi i “arit të zi” ra në nivelin më të ulët të katër muajve të fundit pas njoftimit të Agjencisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›