E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet Panairi i Librit Akademik në Tiranë, pjesëmarrës 40 institucione nga rajoni

Akademia e Shkencave e Shqipërisë çeli sot në Tiranë Panairin e 5-të Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.

Panairi do të zhvillohet nga data 22–24 prill 2026, në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave.

Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 40 institucione nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa gjatë tri ditëve do të organizohen mbi 100 promovime të botimeve të reja në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas organizatorëve, ky panair nuk është vetëm një pasqyrë e librit shkencor, por edhe një moment reflektimi mbi rolin e shkencës dhe studiuesve shqiptarë në zhvillimin e shoqërisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe hapësirën mbarëkombëtare.

Të pranishëm në këtë panair ishin edhe Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, si dhe Arta Marku, drejtoreshë e Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Panairi zhvillohet si një nismë e përbashkët mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, me synim promovimin e arritjeve më cilësore në botimet akademike dhe shkencore, si dhe figurës së studiuesit shqiptar.

Ky aktivitet tashmë është kthyer në traditë, duke përkuar me Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, që shënohet më 23 prill.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Vasil Tole theksoi se panairi i jep vëmendjen e merituar kërkuesit shkencor dhe produktit të tij, duke e cilësuar atë një kontribut në ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

Gjatë ditës së parë të panairit u përurua edhe shtypshkronja digjitale “Akademia”, e mundësuar me mbështetjen e TIKA-s.

Ajo u inaugurua nga kryetari i Akademisë, Skënder Gjinushi, dhe zëvendëspresidenti i TIKA-s, Yahya Coşkun.

Sipas organizatorëve, këto tri ditë pritet të shndërrohen në një festë të librit akademik dhe shkencor, ndërsa u bë e ditur se edicioni i ardhshëm do të zhvillohet në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›