Çelet fushata “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ekspertët propozojnë dispozita të reja për ngacmimin dhe kërcënimet online

U çel të martën (25 nëntor) fushata e “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku këtë vit fokusi është te parandalimi, duke përfshirë format digjitale të dhunës që formësojnë mënyrën se si gratë dhe vajzat e përjetojnë botën online dhe jetën publike.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu në fjalën e saj, tha se janë identifikuar gjithsej 1,210 vepra penale të lidhura me krimin kibernetik, prej të cilave 632 janë zgjidhur me sukses.
“Janë identifikuar gjithsej 1,210 vepra penale të lidhura me krimin kibernetik, prej të cilave 632, ose 61%, janë zgjidhur me sukses. Kjo përfaqëson pothuajse një dyfishim të numrit të rasteve të zgjidhura dhe individëve të çuar para drejtësisë brenda vetëm një viti. Ekspertët kanë propozuar dispozita të reja që trajtojnë ngacmimin, shantazhin përmes kërcënimit për publikimin e materialit intim, manipulimin emocional që qëndron në thelb të shumë krimeve kibernetike, dhe ndjekjen online, e cila përfshin synimin e vazhdueshëm të individëve përmes kanaleve të shumta digjitale”, tha ministrja.
Sakaq Ambasadori i OSCE-së, Michel Tarran tha se parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe radikalizimi kërkojnë një qasje të unifikuar.
“Shërbimet sociale, policia, shkollat dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku, duke ndarë protokolle dhe duke ndërtuar besim. Parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe radikalizimi nuk janë axhenda të ndara. Ato janë sfida të ndërlidhura që kërkojnë një qasje të unifikuar, të bazuar në komunitet dhe të koordinuar. Duke forcuar sistemet e mbrojtjes, duke sfiduar normat e dëmshme dhe duke fuqizuar grupet e margjinalizuara, ne ndërtojmë shoqëri më të sigurta, më elastike dhe më kohezive”, tha ambasadori.
Këto deklarata u bënë gjatë një takimi të realizuar mes aktorëve dhe faktorëve të përfshirë, ku u theksua domosdoshmëria që të hartohen programe që kombinojnë qëndrueshmërinë dixhitale, policimin me kujdes gjinor, fuqizimin e të rinjve dhe angazhimin e komunitetit për të parandaluar narrativat ekstremiste dhe mizogjininë online.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/