E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Tiranë–Vjenë një aks më dinamik”, Spiropali me homologen Beate Meinl-Reisinger: Austria, një nga miqtë më të besuar në rrugën drejt BE

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen austriake, Beate Meinl-Reisinger, vuri theksin te partneriteti i ngushtë dhe mbështetja e palëkundur e Austrisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Spiropali vlerësoi Austrinë si “një nga miqtë më të besuar dhe më të zëshëm” të Shqipërisë. Ajo u shpreh se vizita e homologes austriake dëshmon se Evropa nuk është vetëm një koncept që jeton në kryeqytetet e mëdha, por në çdo vend ku vlerat europiane admirohen e ndiqen.

 “Austria është një nga miqtë tanë ë të besuar dhe më të zëshëm. Jam mirënjohëse që në këtë moment kyç të vendit tonë, historia rezonon.

Kjo vizitë shërben se Europa jeton jo vetëm në kryeqytete e saj tradicionale, por ajo jeton kudo ku vlerat europiane ekzistojnë, admirohen e ndiqen. Askund tjetër më shumë se në Shqipëri nuk ekziston sot një mbështetje dhe një admirim kaq admirim kaq unanim për projektin e Evropës së bashkuar”, deklaroi Spiropali.

Ministrja nënvizoi mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, duke e cilësuar vizitën si shprehje të vullnetit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Shqipëria është mirënjohëse ndaj Austrisë për gjithë mbështetjen e dhënë dhe kjo vizitë është shprehje e një vullneti të përbashkët për të forcuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera.

Imagjinuam sot me miken një të ardhmen ku aksi Tiranë-Vjenë do jetë shumë më dinamik në të gjitha drejtimet, politikisht, ekonomikisht sa i takon sigurisë dhe në të gjitha fushat.

Në fuqizimin e  këtij aksi një rol thelbësor do luajë dhe komuniteti shqiptar në Austri dhe i investitorëve e sipërmarrësve austriak në Shqipëri”, shtoi Spiropali.

Kjo e fundit vuri në dukje se një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim luan komuniteti shqiptar në Austri, si edhe investitorët dhe sipërmarrësit austriakë që veprojnë në Shqipëri.

Në konferencë u rikonfirmua gjithashtu angazhimi i Tiranës për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin formal në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, një objektiv të cilin ministrja e quajti “prioritet kombëtar”. Ajo solli në vëmendje progresin e shënuar, ku Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt brenda 14 muajve, një risi në historinë e BE-së.

Spiropali theksoi se vendi mbetet i përkushtuar për të shndërruar rekomandimet e Komisionit Europian në programe konkrete pune. “Europa për ne është një shans historik për transformimin e institucioneve, forcimin e shtetit të së drejtës, ekonomisë, tregut dhe shoqërisë shqiptare”, u shpreh ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›