Islami: PS, platformë bashkimi nga Erion Braçe te Fatos Nano
Pa një koalicion me LSI-në nuk ka fitore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ky është vlerësimi që jep deputeti socialist Kastriot Islami, sipas të cilit nëse do ekzistonte një koalicion i tillë më 8 Maj, atëherë Bashkia e Tiranës do fitohej nga një kandidat socialist (jo Rama) me 45 mijë vota avantazh. “Rama e futi PS-në në ngërç dhe lëngim, që po vuan dhe do vuajë edhe më gjatë. Kthimi i PS-së në Parlament në shtator është i pakuptueshëm, pasi duhet shkuar që tani. Rezultati i Tiranës pritet në Parlament dhe duke bërë opozitë. Kthimi në shtator është shenjë e mirë që ka ardhur për shkak të presionit ndërkombëtar. Bojkoti ishte i dëmshëm dhe solli këtë rezultat”, tha Islami në “Ora News”. Sipas tij, PS-ja duhet të realizojë koalicionin e madh të së majtës dhe një platformë bashkimi të së majtës, duke nisur nga Erjon Braçe deri te Fatos Nano. “E majta e bashkuar e mund të djathtën dhe, nëse kjo nuk ndodh, nuk ka fitore”, nënvizoi Islami. I duhet thënë e vërteta në sy kryetarit të PS-së, se nuk ka fituar në Tiranë, vijoi Islami dhe se, minibashkitë janë 7 me 4, këshilli bashkiak është në opozitë, ndërsa Bashkitë qendër qarku nga 9 me 3 janë 7 me 5. Islami këmbënguli se, nëse nuk ka ndryshim, Rama do ta mbajë me dhunë partinë deri më 2013, por nuk ka shans të fitojë zgjedhjet. “Profesorët nuk kuptojnë më dhe nuk flasin më. Kanë rënë në gjendje depresioni. Kur thua diçka ndryshe, ose nuk dëgjojnë ose janë disa snajperë aty që qëllojnë. Nuk shkoj në mbledhje, pasi unë jam sekretar dhe pres që ai të mbledhë sekretariatin, Kryesinë”, tha Islami. I pyetur nëse do vazhdojë të qëndrojë në rradhët e PS, ai tha se “do qëndroj fort, deri sa të mos kem më shpresë se do ekzistojë ajo Parti Socialiste”. Duke ju referuar në distancë dhe indirekt Ramës, Islami ironizoi edhe me arsimimin teksa tha se nuk kishte mesataren 5.1 e se kishte patur nota të larta në gjitha lëndët e jo vetëm në fizkulturë dhe vizatim.