E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Celibashi, kërkesa Kuvendit dhe Qeverisë: Ndryshim afatesh për regjistrimin e subjekteve dhe vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i është drejtuar sot me shkresa Kuvendit të Shqipërisë me propozime për ndryshime teknike të Kodit Zgjedhor si dhe Këshillit të Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, Celibashi propozon që të ndryshohen afatet që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore si dhe propozon që të ketë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, që sipas tij “adresojnë interesat e të gjitha palëve në procesin e numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet edhe për zhvillimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025. Sipas parashikimeve ligjore në fuqi, zgjedhësit me qëndrim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të votojnë për deputetët e ardhshëm të Kuvendit nëpërmjet një flete votimi, e cila do t’u dërgohet me postë nga KQZ-ja atje ku zgjedhësit nga jashtë kanë vendqëndrimin”, thekson Celibashi.

“Në analizë të afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, si dhe të kohës për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor për zgjedhësit nga jashtë, dërgimit të këtij dokumentacioni në adresën e zgjedhësit dhe kthimin në KQZ, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj 2025, rezulton se koha për dërgimin e fletëve të votimit jashtë dhe kthimin e tyre në KQZ mund të mos jetë e mjaftueshme”, shprehet ai.

“Në rrethana të caktuara procesi i regjistrimit të kandidatëve, përfshi shqyrtimin e ankimeve të mundshme, mund të përfundojë jo më shpejt se 20 ditë përpara datës së zgjedhjeve. E në një rast të tillë do të duhet që brenda kësaj kohe KQZ-ja të printojë fletët e votimit, t’i dërgojë ato tek zgjedhësit nga jashtë dhe zgjedhësi ta kthejë mbrapsht në KQZ. Proceset teknike të mësipërme objektivisht mund të kërkojnë një afat kohor më të gjatë se 20 ditë”, shkruan Celibashi.

Në këto rrethana, Celibashi propozon të ndryshohen afatet që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore.

“Në ligjin nr. 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025” është parashikuar fond për pagesën nga buxheti i shtetit të të gjitha kostove postare të dërgimit të fletëve të votimit tek zgjedhësit nga jashtë dhe kthimin e tyre në KQZ. Me këtë rast duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor sipas tekstit bashkëlidhur, për t’i hapur rrugë KQZ-së të realizojë procedurën përkatëse prokuruese duke përfshirë edhe shërbimin e paguar të fletës së votimit në KQZ”, thekson Komisioneri.

Celibashi shton se, “në kuadër të miratimit të akteve nënligjore për votimin nga jashtë, në kalendarin e punës së Komisionit Rregullator është në proces shqyrtimi projektakti që ka të bëjë me procedurat e numërimit dhe të vlerësimit të fletëve të votimit nga jashtë. Nga shqyrtimi i deritanishëm i këtij projektakti ka rezultuar se nuk është gjetur një konsensus nga shumica e cilësuar e anëtarëve të Komisionit Rregullator për procedurën e numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë.

Gjithashtu, shton ai, “nga diskutimet dhe konsultimet e KQZ-së me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile, konstatohet se nuk ka një mbështetje për procedurën e propozuar të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë”.

Në të tilla kushte, thekson Celibashi, “ky proces mund të vihet në rrezik”.

“Pas diskutimeve edhe me përfaqësuesit e dy partive kryesore politike në vend, u pa e udhës të propozohen disa ndryshime ligjore që sigurojnë më shumë transparencë dhe mbikëqyrje në komisionet e numërimit nga ana e përfaqësuesve politikë, por ruajnë edhe një komponent teknik të  administrimit direkt nga KQZ-ja. Ky propozim vjen në respekt të frymës që mbizotëron në Kodin Zgjedhor në fuqi për të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore”, shprehet Celibashi.

Për sa më sipër, Celibashi propozon që të ketë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat, thekson ai, “në vlerësimin tim i adresojnë interesat e të gjitha palëve në procesin e numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë”.

Në shkresën drejtuar Këshillit të Ministrave, Celibashi propozon shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për zgjedhësit me vendqëndrim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në 30 maj 2025.

“Prej datës 11 janar 2025 ka filluar procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (PER). Ky proces do të përfundojë në datën 4 mars 2025”, shkruan ai.

“Në takimet konsultative që KQZ ka organizuar përgjatë kësaj periudhe me përfaqësues të partive politike, si dhe me organizatat e shoqërisë civile me fushë veprimi brenda dhe jashtë vendit, është sjellë në vëmendje në mënyrë të përsëritur çështja lidhur me vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit”, thekson Celibashi.

Sipas tij, “kjo problematikë është konstatuar tek një numër i konsiderueshëm i zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme në kuadër të mbarëvajtjes së procesit të votimit për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.

“Nga informacionet që KQZ ka marrë pranë Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë së prodhimit të dokumenteve biometrike, aktualisht, rezultojnë të jenë 600 248 zgjedhës të pajisur me dokument identifikimi të pavlefshëm”, shprehet Celibashi.

“Nga të dhënat e siguruara nga PER, rezulton të jenë regjistruar rreth 900 (nëntëqind) zgjedhës nga jashtë të cilët nuk zotërojnë një dokument identifikimit të vlefshëm”, thekson ai.

Për sa më lart, shton Komisioneri, “bazuar në rëndësinë që ka votimi nga jashtë si dhe pamundësisë objektive të zgjedhësve jashtë vendit për t’u pajisur brenda afateve ligjore me dokument identifikimi të vlefshëm në kuadër të ushtrimit të të drejtës së votës, KQZ propozon marrjen në konsideratë të shtyrjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për zgjedhësit me vendqëndrim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në 30 maj 2025”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›