Celibashi letër DHL-së: Raport urgjent për shpërndarjen e dokumentacionit zgjedhor në Greqi

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Pas denoncimeve të Partisë Demokratike për manipulime të procesit zgjedhor të votuesve në Greqi, kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka dërguar sot një kërkesë për informacion zyrtar DHL-së, e cila ka bërë shpërndarjen e fletëve të votimit për votuesit e regjistruar jashtë vendit.
Celibashi kërkon urgjentisht informacion në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor në Greqi, nga ku i është adresuar postës DHL me një numër pyetjesh.
“Në vijim të procesit të votimit nga jashtë vendit, në vlerësim të shqetësimeve të subjektit zgjedhor Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor në Greqi jeni të lutur të na dërgoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:
- Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?
- A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marrëveshja?
- Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?
- Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?
- Sa është numri i zgjedhësve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?
- Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?
- A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?
- Sa është numri i zgjedhësve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste.
- Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritëse të operatorit të sherbimit postar? Cili është domumentacioni provues për këtë rast?”, thuhet në kërkesën për informacion.
Celibashi nënvizon se “për shkak të rëndësisë dhe urgjencës së këtij procesi, kërkojmë që informacioni i mësipërm të na vihet në dispozicion brenda një afati sa më të shkurtër”.
Nga ana tjetër Partia Demokratike kërkoi sot nga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kutitë që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe të mos bashkohen me votat e tjera. /j.p/