E Martë, 3 Nëntor 2026

MM: Struktura dhe mjete të shumta për gjetjen punonjësit të mbuluar nga dheu në Klos

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka dhënë sot informacion mbi operacionin e kërkimit të personit të humbur në bashkinë Klos.

Më datë 3 maj, rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km.

Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator një punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve. Si pasojë e rrëshqitjes, punëtori është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve.

Që nga dita e parë, në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit të punonjësit nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor.

Nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 115 forca nga reparti ushtarak 1013 Burrel, 12 efektivë nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC) me pajisje speciale për kërkim-shpëtim në rrënoja, 24 efektivë nga kompania EOD (Batalioni i Xhenios), të pajisur me pajisje për detektimin e metaleve.

Nga Policia e Shtetit janë angazhuar 24 efektivë.

Urgjenca Mjekësore është e pranishme në vendngjarje për ndihmën e nevojshme. Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore janë angazhuar 6 punonjës.

Gjithashtu si vullnetarë janë angazhuar 535 qytetarë dhe 2 ekskavatorë që janë duke punuar intensivisht në një pjesë të zonës ku ka ndodhur rrëshqitja.

Po ashtu, edhe nga strukturat lokale janë të angazhuara strukturat e pushtetit vendor të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër.

Gjithashtu nuk ka munguar edhe mbështetja ndërkombëtare. Me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe vështirësisë së terrenit, më datë 6 maj, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, është kërkuar mbështetje nga Kosova me forca të specializuara për kërkim-shpëtim.

Më datë 7 maj, një ekip i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja, është bashkuar me operacionin në terren.

Sipas vlerësimeve në terren dhe diskutimeve me drejtuesit operativë, rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim. Në një segment të terrenit, rreth 500 metra nga pika e rrëshqitjes pranë fabrikës së pasurimit të kromit, janë futur dy ekskavatorë për të ndihmuar në gërmimin dhe gjetjen e trupit.

Operacioni po drejtohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat operacionale mbeten të angazhuara maksimalisht deri në përfundimin e operacionit dhe lokalizimin e personit të humbur.

Klos – vijon operacioni për gjetjen e një punonjësi të zhdukur 1 nga 6

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›