KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit Alfred Sali

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Alfred Sali.
Me vendimin nr. 555, datë 22.07.2022, KPK kishte vendosur shkarkimin e Salit, pas konstatimit të problemeve në kriterin e pasurisë.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Natasha Mulaj (kryetare), Albana Shtylla (relatore), Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo (anëtarë), vendosi njëzëri lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.
“Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.
Alfred Sali përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe ka shërbyer si prokuror në Gjirokastër, Vlorë dhe së fundmi në Elbasan.
/a.f/r.e/